Takimi i harruar i Hashim Thaçit në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë. Si u kujdes Amerika që 24 orë para se të jepte opinionin GJND-ja për ligjshmërinë e pavarësisë, t’i tregonte botës që Kosova është partneri i tyre më i afërt.
Derisa më 22 korrik të vitit 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jepte mendimin nëse Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, apo jo, Amerika ishte kujdesur ta bëjë të qartë qëndrimin e vet para kësaj date.
Veç një ditë më herët, më 21 korrik të 2010-së, Joe Biden, atëherë Zëvendës-President i SHBA-ve, e kishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë për vizitë kryeministrin e Kosovës dhe njeriun që e shpalli atë pavarësi që po kontestohej nga Serbia, Hashim Thaçin.
Letra njoftuese e lëshuar pas takimit është po aq e jashtëzakonshme sa momenti kur po ndodhte ky takim.
“Zëvendës-Presidenti u takua sot me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të konsultimeve të shpeshta të Administratës me partnerët tanë Evropian në agjendën tonë të përbashkët”, thotë njoftimi.
Por, vazhdimi është edhe më domethënës.
Mos harroni, kjo ishte veç një ditë para se të merrej vendimi.
Ja si vazhdon njoftimi.
“Mes çështjeve të tjera, dy liderët diskutuan shpalljen që po vjen të opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
Dhe ja çfarë thoshte Joe Biden për këtë çështje, si mesazh për krejt botën: “Zëvendës-presidenti rikonfirmoi mbështetjen e plotë të SHBA-ve për një Kosovë të pavarur, demokratike, të plotë dhe multietnike, e ardhmja e së cilës është fuqishëm brenda institucioneve Evropiane dhe Evro-atlantike”.
“Zëvendës Presidenti gjithashtu ritheksoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial”.
Pra, derisa Kosova nën ethe priste një vendim që do ta diktonte krejt të ardhmen e shtetit të ri, Amerika qëllimshëm ftonte Kosovën në Shtëpinë e Bardhë duke i treguar krejt botës se qëndrimi amerikan për Kosovën është ky.
Madje në këtë takim, Joe Biden iu drejtohet gazetarëve duke iu thënë për Thaçin se ai është: “George Washington-i i Kosovës”.
Dhe kjo ishte veç në sipërfaqe.
Amerika në prapaskenë ishte kujdesur që ta përgatisë lëndën e Kosovës para gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me ekipet e avokatëve.
Kosova fatkeqësisht nuk e ka sot as këtë raport, as këtë mbështetje, as këtë afërsi me Qeverinë Amerikane.
Sepse sot e kemi kryeministër dikë që punoi aq shumë në njërën anë të irritoi qytetarët e Kosovës me Amerikën e në anën tjetër ta lodhë Amerikën me Kosovën.
E panevojshme të përsëritëm këtu se si Albin Kurti nxiti aktivistët e tij deri në atë masë sa të sulmonin ambasadoren amerikane edhe fizikisht.
Vetëvendosja, njëfarë lloj sekti filorus që kundërshtimin ndaj Amerikës nuk e kishte veç për inate të raporteve të amerikanëve me udhëheqësit e Kosovës, por edhe për shkak të urrejtjes ideologjike ndaj Amerikës.
Ushqyer me autorë rusë gjithë kohën në shkollat e tyre politike, Vetëvendosja i mësoi aktivistët e vetë se e keqja e madhe e botës, përfshirë Kosovën, është imperializimi e kapitalizmi amerikan.










