Në deklaratë, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, thuhet se këto 50 milionë dollarë, si garanci kredie, do të përdoren për shtrirjen e rrjetit 5G në Serbi.
Serbia do të marrë 50 milionë dollarë nga Amerika dhe kjo u bë e ditur ditë më parë në një deklaratë të përbashkët të dy qeverive, të SHBA-së dhe Serbisë, për fillimin e Dialogut Strategjik.
Në deklaratë, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, thuhet se këto 50 milionë dollarë, si garanci kredie, do të përdoren për shtrirjen e rrjetit 5G në Serbi.
“Të dy vendet mirëpritën njoftimin për një garanci kredie prej 50 milionë dollarësh nga Banka e Eksport-Importit e Shteteve të Bashkuara (Export-Import Bank of the United States) për Telekom Srbija Group, me qëllim shtrirjen e rrjetit 5G në Serbi duke përdorur furnizues të besueshëm, gjë që do të forcojë sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve të komunikimit të Serbisë”, thuhet në deklaratë.
E derisa Kosovës i është konfirmuar sërish mbetja pezull e Dialogut Strategjik – madje i janë vendosur edhe kushte për rifillimin e tij – Shtetet e Bashkuara dhe Serbia janë pajtuar për bashkëpunim edhe në një sërë segmentesh të tjera.
“Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale. Shtetet e Bashkuara mirëpritën gjithashtu vendimin paraprak të Serbisë për të vazhduar me projektin hidroenergjetik Djerdap III (Porta e Hekurt III), si projekti i parë i identifikuar në kuadër të Marrëveshjes Ndërqeveritare për Energjinë. Ky projekt përfaqëson një investim të madh në infrastrukturën energjetike rajonale dhe një hap drejt një Serbie më të pavarur në aspektin energjetik”, është thënë në deklaratën e përbashkët.
Aty po ashtu potencohet se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia u zotuan të rrisin ritmin e angazhimeve ushtarake ndërmjet dy vendeve.
“Të dyja vendet vlerësuan njëzet vjet bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Gardës Kombëtare të Ohaios dhe Forcave të Armatosura të Serbisë në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror. Serbia ka kërkuar të blejë pajisje ushtarake amerikane, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave tona të armatosura dhe do të ndërtojnë mbi marrëdhëniet e forta të zhvilluara gjatë stërvitjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe misioneve të përbashkëta paqeruajtëse”.
Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një Memorandum Mirëkuptimi për të mbuluar bashkërisht kostot e Programit Fulbright.
“Angazhimi i Serbisë për të kontribuar me 300 mijë dollarë në vit për zgjerimin e këtij programi historik të shkëmbimit do të krijojë mundësi shtesë për studiuesit dhe studentët më të mirë amerikanë dhe serbë që të japin mësim dhe të zhvillojnë kërkime shkencore në dobi të të dy vendeve”, thuhet aty.
Por, çfarë po ndodh me Kosovën, e cila gjithashtu ka refuzuar edhe kërkesën amerikane për përfshirjen në projektet e Gazit të Lëngshëm Amerikan?
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për rifillimin e Dialogut Strategjik kanë të bëjnë edhe me zotimet e Kosovës në raport me serbët.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Në shtator të vitit të kaluar, ambasada e SHBA-së njoftoi për vendimin për pezullimin e dialogut, duke thënë se ai u mor për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, e të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.
Vendimi erdhi pasi Qeveria e Kosovës ndërmori disa veprime në veri të vendit.
Një nga kushtet kryesore që SHBA-të, por edhe Bashkimi Evropian, i kërkojnë Kosovës është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, e më kryesorja themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sigurimi i një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.









