Kokaina e pastër në Mitrovicë shitet deri në 50 mijë euro ndërsa grami 70 euro

Publikuar më:

Sipas një raporti të bërë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit Transnacional të Organizuar , çmimi i kokainës në Europë, varet nga transporti.

Ndër të tjerash, thuhet se shumica e kokainës e cila hyn në Europë, e ka si pikë tranziti, portin e Shqipërisë dhe Malin e Zi, të cilat vijnë përmes Detit Adriatik, në kontejner të frutave apo lëkurave të kafshëve nga Amerika e Jugut.

Kokaina e cila hyn në njërën nga këto dy porte, vjen 90 përqind e pastër, me çmim rreth 30 mijë eurosh, por pasi që lëvizet nga njëri shtet në tjetrin, kokaina përzihet me substanca të tjera për t’i rritur masën dhe i rritet çmimi.

Mirëpo, sipas raportit, kokaina e cila hyn nga Presheva, e arrin vlerën rreth 50 mijë eurosh.

Po ashtu, edhe kokaina e cila hyn nga Serbia në Kosovë, më saktësisht në Mitrovicën e Veriut, arrinë vlerën e 50 mijë eurove, kjo për shkak të transportit jo konvencional që e ofron ajo pjesë.

Megjithatë, kokaina e cila konsumohet në Ballkanin Perëndimor, është shumë më e pastër se ajo e cila shkon në Europën Perëndimore.

Çmimi në Ballkanin Perëndimor, varet edhe nga kualiteti, ku Tirana dhe Podgorica e kanë çmimin më të lartë në rajon, por kanë kualitetin më të mirë.

Për një gram kokainë në Tiranë dhe Podgoricë, çmimi arrin deri në 100 euro.

Kurse në Kosovë, çmimi për një gram kokainë, shkon deri në 70 euro, sipas raportit.

Por konsumi i kokainës në Ballkanin Perëndimor, është i ulët duke krahasuar me sasinë e cila hyn dhe del nga këto vende.

Në vitin 2018 dhe 2019, policia e Shqipërisë ka sekuestruar rreth 800 kilogramë, ndërsa në Kosovë vetëm 300 kilogramë.

Mirëpo, në aksionin e së hënës, në Lipjan, janë sekuestruar rreth 400 kilogramë me vlerë tregu 20 milionë euro, sipas Prokurorisë së Kosovës.

JU REKOMANDOJMË