Klubi i Hendbollit të Trepçës ka bërë të ditur se do të ndjekë rrugët ligjore për dhunën që pësuan nga lojtarët dhe tifozët e Vushtrrisë pas përleshjes që ndodhi disa ditë më parë gjatë përballjes të dy ekipeve, në kuadër të Superligës së Kosovës.
Përleshja nisi kur u ndal një faull për Vushtrrinë në minutat e para të pjesës së dytë. Më pas hendbollisti i Trepçës që shkaktoi faullin kërkoi ndihmën e mjekëve pasi që pretendoi se u godit, por gjatë kohës që pritej ndërhyrja e mjekëve, portieri i Vushtrrisë vrapoi nga ana tjetër e fushës dhe filloi të sulmonte me grushte.
Hendboll / Pamje: Dhunë në Hendboll, lojtarët dhe tifozët e Vushtrrisë sulmojnë skuadrën e Trepçës
Sipas një komunikate të Trepçës disa hendbollistë janë në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike nga dhuna që pësuan nga ekipi i Vushtrrisë në ndeshjen ku mitrovicasit ishin mysafirë. E më së rëndi e ka pësuar portieri algjerian i Trepçës Muhammed Chahre Hachemi.
“Në minutën e 34:42 sulmohet lojtari i Trepçës, Yassinë Henahem, nga lojtari me nr 11 i Vushtrrisë, Halim Miftari. Lojtari ynë sulmohet me grusht në bark dhe shqelm në kokë sa ishte i shtrirë në dysheme dhe në këtë moment disa lojtarë të Vushtrrisë së bashku me publikun sulmojnë dhe grushtojnë ekipin e Trepçës, ku shihet qartë edhe në transmetimin live në RTV 21.
Më së shumë lëndime pësoi portieri i përfaqësueses së Algjerisë, Muhammed Chahre Hachemi, pastaj Yassine Henahem nga Tunisia, Yasin Ben Jouida nga Tunisia, Deniz Terziqi, Kushtrim Kastrati dhe Ermir Smaka, të gjithë këta lojtarë marrin tretman mjekësor në emergjencën e Mitrovicës”, u tha në deklaratën nga KH Trepça.
Sipas klubit nga Mitrovica rreth këtij rasti ka reaguar edhe federata algjeriane për portierin e tyre që ishte sulmuar gjatë ndeshjes.







