Këshilltari i Kurtit: Strukturat paralele të Serbisë që funksionuan 20 vjet në Kosovë u mbyllën në një mandat të Qeverisë Kurti

Publikuar më:

Nga sot, më 16 mars 2026, fillon procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës.

Kështu ka njoftuar këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Jeton Zulfaj.

“Ky proces fillon nga nesër përmes evidentimit drejt legalizimit dhe përfshirjes së plotë në sistemin legal të Kosovës”- shkroi ai, më 15.03.2026

Sipas tij, strukturat paralele të Serbisë që funksionuan për 20 vjet në Kosovë, përfshirë 12 vjet pas pavarësisë, u mbyllën gjatë një mandati të Qeverisë Kurti.

“E ata që për 20 vjet ruajtën status quo-në e strukturave paralele, le t’i ruajnë edhe statuset nga dje dhe sot. Do t’u duhen më vonë”- tha Zulfaj.

Ai, mes tjerash, ka listuar institucionet që sipas tij janë hapur apo mbyllur në veri të vendit gjatë Qeverisë Kurti 2.

Këshilltari politik i kryeministrit tha se në këtë pjesë janë mbyllur 29 rrugë ilegale të kontrabandës.

Po ashtu, sipas tij, janë shkatërruar 13 laboratorë të drogës dhe janë mbyllur degët e “Bankës Kursimorja Postare e Kosovës”.

Ai shtoi se janë shkatërruar edhe 10 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave.

Sipas Zulfajt, janë shkatërruar 12 depo të armatimit, ndërsa janë sekuestruar armatim, kamera, alarme dhe asete në vlerë prej 15 milionë eurosh.

Gjithashtu, janë mbyllur komunat ilegale të Serbisë në Kosovë dhe janë shpallur organizata terroriste “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile”.

Ai theksoi se është mbyllur edhe Posta e Serbisë, si dhe prezenca e “Bankës Popullore të Serbisë” dhe “Drejtorisë së Thesarit” të Serbisë në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut.

Sipas tij, janë ndaluar targat, letërnjoftimet dhe patentë-shoferët ilegalë të Serbisë, është ndaluar përdorimi i valutës së dinarit dhe janë ndaluar referendumet dhe zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Me një tabelë me ngjyrë të gjelbër, Zulfaj ka renditur edhe “zyrat e hapura” gjatë qeverisjes së Kurtit në veri të vendit.

Sipas tij, janë hapur zyrat kadastrale komunale, zyrat pensionale dhe zyra e punësimit, ndërsa është në ndërtim Zyra e Administratës Tatimore.

Po ashtu, është hapur Zyra e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës dhe Zyra e Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë.

Ai shtoi se është hapur edhe Zyra e Inspektoratit të Punës dhe Zyra e Agjencisë për Verifikimin e Pronës.

Më tej, sipas tij, është hapur Qendra Rajonale për Aftësimin për Patentë-Shoferë.

Gjithashtu, është hapur Qendra për Trajtim dhe Kërkim në kuadër të Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) buzë Liqenit të Ujmanit.

Është hapur edhe Posta e Kosovës, e cila, sipas tij, i ka kthyer pronat e veta.

Sipas Zulfajt, ka filluar edhe pagesa për energjinë elektrike në veri.

Telekomi i Kosovës ka mbuluar akset rrugore dhe vendbanimet më të mëdha me shërbime 4G dhe 5G.

Po ashtu, është investuar në infrastrukturën dhe shërbimet përcjellëse të regjistrimit civil në katër komunat veriore, ndërsa janë liruar 71 prona të uzurpuara.

Sipas tij, është krijuar njësiti i ri i Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në kuadër të Departamentit të Kufirit.

Gjithashtu, është krijuar edhe njësia e barkave në kuadër të Departamentit të Kufirit.

Ai shtoi se edhe sektori privat ka zgjeruar shërbimet në veri, me hapjen e supermarketeve, gastronomisë dhe shërbimeve të tjera.

JU REKOMANDOJMË