Katër ish-ministra të Qeverisë Haradinaj janë intervistuar nga hetuesia për aferën e pagesës së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel Enka”, në emër të vonesave. Të gjithë kanë thënë se nuk ishin në dijeni se kompania “Hill” kishte lëshuar opinion për Qeverinë, sipas të cilit duhej të paguheshin vetëm 14 milionë euro.
Katër ish-ministra të Qeverisë Haradinaj janë intervistuar nga hetuesia për aferën e pagesës së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel Enka”, në emër të vonesave. Të gjithë kanë thënë se nuk ishin në dijeni se kompania “Hill” kishte lëshuar opinion për Qeverinë, sipas të cilit duhej të paguheshin vetëm 14 milionë euro. Fshehja e këtij raporti nga anëtarët e tjerë të Qeverisë është barra kryesore që Prokuroria e ngarkon ish-ministrin Pal Lekaj. Krahas ministrave, edhe një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës ka rrëfyer për presion e ndikim direkt, që në këtë rast kishte nga anëtarë të kabinetit të Lekajt, e të cilët e kishin paralajmëruar për pasoja
Aktakuza për aferën e pagesës së 53 milionë eurove që iu bë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, do ta përballë ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me kolegët e tij të dikurshëm.
Përveç në prova të tjera të rastit, aktakuza e ngritur bazohet edhe në dëshmitë e ministrave të asaj kohe që ishin pjesë e Komitetit Ndërministror për këtë autostradë. Secili nga ta ka dhënë deklaratë në hetuesi, e një pjesë e tyre e kanë bërë përgjegjës në mënyrë direkte ose indirekte ish-ministrin Lekaj.
Të gjithë janë pyetur nga hetuesia veçanërisht nëse kanë parë një opinion të kompanisë “HILL”, i cili kishte rekomanduar që konsorciumit të mos i paguheshin 53 milionë euro, por 14 milionë.
Bajram Hasani, ish-ministër i Tregtisë, ka thënë që një raport i tillë nuk është paraqitur asnjëherë në Komitetin Ndërministror.
“Në pyetjen se a e keni parë ju opinionin e “Hill International” lidhur me kërkesën e Bechtel Enkas për kompensimin e shpenzimeve indirekte prej 63 milionë eurosh, dëshmitari ka deklaruar se jo nuk është paraqitur asnjë opinion i tillë në mbledhje”, thuhet në pjesën e aktakuzës ku citohet ish-ministri Hasani.
Në hetuesi, edhe ish-ministri nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, përgjegjësinë se pse anëtarët e komitetit s’e kanë parë këtë opinion që sugjeronte Qeverinë të paguante shumë më pak para, e ka hedhur tek ish-ministri Lekaj.
“Lidhur me opinionin rreth kërkesës se Bechtel Enkas për kosto shtesë në vlerën 63 milionë euro të përpiluar nga “Hill Internatcional”, dëshmitari ka deklaruar se, nëse është përpiluar një raport i tillë është dashur ta prezantojë edhe në Komitet, edhe në Ministri”, citohet të ketë thënë para hetuesve ish-ministri Hamza.
Mbështetur në aktakuzë, Hamza nuk kishte marrë pjesë as në mbledhjen e qeverisë kur ishte votuar vendimi për pagesën prej 53 milionë eurove. Këtë mungesë, ai para hetuesisë e ka arsyetuar, duke thënë se në kohën e njëjtë në Kuvend ishte i ftuar në interpelancë.
E ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka, ka thënë që kurrë nuk e ka parë një opinion të tillë. Por Lluka ka theksuar se ky komitet as nuk ka qenë në dijeni për shtyrjen e afateve të punimeve për shkak që Lekaj nuk i ka njoftuar.
“I njëjti po ashtu deklaron se nuk ka pasur asnjë informatë lidhur me zgjatje të afatit të punimeve, pasi ministri Pal Lekaj asnjëherë nuk është konsultuar me anëtarët e tjerë të komitetit lidhur me këtë çështje, dhe vetëm më vonë e ka kuptuar se është nënshkruar aneks-kontrata”, citohet në aktakuzë deklarata e Llukës.
E, kolegia e Lekajt, ish-ministrja nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj, ka folur edhe për një rrethanë tjetër. Në hetuesi ka deklaruar që në Komitet u është thënë që nëse kjo pagesë nuk do të bëhej, ekzistonte rreziku që rasti të përfundonte në Arbitrazh dhe se aty Kosova do të mund të humbiste 200-300 milionë euro.
“Bechtel Enka” ishte pajtuar fillimisht për 14.7 milionë euro shtesë
Një nga pretendimet kryesore të kësaj aktakuze është që kompania “Hill” e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës ka lëshuar opinion për pagesën e vetëm 14 milionë eurove, por që dyshohet që ish-ministri Lekaj nuk e ka prezantuar atë në Komitet dhe për shkak të “fshehjes” së tij janë paguar 53 milionë euro.
Udhëheqësi i ekipit të “Hill” për këtë projekt Georgois Papaioanou, ka konfirmuar që kishin lëshuar një opinion të tillë.
“‘Hill Internatcional’ i ka ofruar mendimin e vet Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me Briefing Package me datë 21.12.2017, i cila i është dërguar drejtpërdrejt kabinetit të ministrit Pal Lekaj… Andaj ky ishte opinioni ynë dhe po ashtu kishim propozuar që të bëhen analizat e vonesave për të qartësuar vonesat e mundshme nga Bechtel Enka”, ka deklaruar Papaionau.
Drejtori i projektit nga “Bechtel Enka”, Riyadj Alkhazraji, po ashtu ka bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale në fazën hetimore të këtij rasti.
Ai ka deklaruar se për zgjatje të afatit të punimeve kishin filluar që të bisedojnë qysh në vitin 2015. Madje ai ka pranuar që vetë ata ishin pajtuar me Qeverinë e Kosovës që zgjatja e afatit me kosto shtesë prej 14.7 milionë eurosh të bëhej, por që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
“Dëshmitari ka deklaruar se diskutimi për këtë çështje ka filluar në vitin 2015 dhe ka zgjatur deri më 5.6.2018 kur edhe Qeveria ka marrë vendim për pagesë, konkretisht në vitin 2015 u ra dakord që të shtyhet afati dhe u diskutua që kostoja të jetë prej 14.7 milionë eurosh, por nuk u aprovua asnjëherë”, citohet deklarata e tij në aktakuzë.
Ish-ministri Lekaj e anëtarë të kabinetit të tij, ani pse e kishin opinionin e kësaj kompanie që rekomandonte pagesë shumë të ulët, të njëjtin s’e kishin përcjellë kurrë as te kompania që ua kërkonte paratë, “Bechtel Enka”.
“Lidhur me vlerësimin e bërë nga ana e “Hill Internacional” për kosto shtesë prej 14.7 milionë eurosh lidhur me zgjatjen e afatit deri më 31.12.2018 që duhej të paguajë Ministria e Infrastrukturës, dëshmitari ka deklaruar se ai nuk qenë pjesë e diskutimeve”, thuhet tutje në aktakuzë.
Ndonëse mes Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa dhe “Bechtel Enkas” kishte marrëveshje në parim të pafinalizuar për zgjatje të afatit të punëve me kosto shtesë prej 14 milionë eurosh, Qeverisë pasuese, ajo e drejtuar nga Ramush Haradinaj, i kishin mjaftuar vetëm dy javë, që të finalizonin një tjetër marrëveshje për zgjatje të punëve, me ditë të njëjta shtesë, por me kosto financiare të papërcaktuar. Vetëm kur u bë nënshkrimi i këtij aneksi, kostoja e kërkuar nga “Bechtel Enka” u bë 63 milionë euro, e cila më pas ka zbritur në 53 milionë.
“Dëshmitari deklaron se me datë 27.9.2017 ishte nënshkruar marrëveshja në mes të palëve për zgjatje të afatit të punimeve deri më 31.12 2018”, thuhet në aktakuzë.
Qeveria Haradinaj ishte votuar më datë 9 shtator 2017.
Megjithatë përfaqësuesi i “Bechtel Enkas” ka pasur një koment për opinionin e “Hill International”. Ka thënë që kjo kompani nuk ishte kompetente të lëshonte opinione të tilla.
Zyrtari i MI-së flet për presionin që iu bë nga kabineti i Lekajt
Krahas dëshmisë së ish-ministrave, një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, sipas aktakuzës del të jetë një nga dëshmitarët më të fortë kundër të akuzuarve në këtë rast.
Avdi Kamerolli në vitin 2018 ishte drejtor i përkohshëm i Departamentit ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës. Ai në hetuesi ka thënë se kabineti i Lekajt i kanë bërë presion për rastin e pagesës së 53 milionë eurove. Përgjegjësinë e ka hedhur tek ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha. Para hetuesisë ka deklaruar që Berisha në zyrë e kishte “mësuar” se si ta përpilonte një opinion ligjor në lidhje me këtë çështje.
“Me datë 31.052018 me sa i kujtohet, të njëjtin e ka ftuar në zyrën e tij Eset Berisha, këshilltari ligjor i ministrit Pal Lekaj. Tutje shton se pas ftesës kishte shkuar në zyrën e Eset Berishës dhe gjatë bisedës Eseti ia kishte paraqitur rreth 3-4 fleta dhe kishte kërkuar nga ai që shënimet që ishin në ato letra t’i inkorporonte në një opinion ligjor, sepse kjo ishte kërkesë e kabinetit të ministrit dhe opinioni ligjor duhet të bëhej brenda ditës pasi që ishte urgjent”, ka thënë ai në hetuesi.
Kamerolli ka thënë se Berishës nuk ia kishte plotësuar këtë kërkesë, por fillimisht i kishte kërkuar që një gjë të tillë t’ia shkruante përmes emailit.
“Sipas dëshmitarit Eset Berisha kishte kërkuar opinion ligjor, ku konkretisht përmes këtij opinioni të konfirmojmë se MI ka obligim për ekzekutim të borxhit ndaj kompanisë Bechtel Enka shumën prej 63 milionë euro”, thuhet në aktakuzë.
Megjithatë Berisha s’i ka dërguar atë ditë kërkesë zyrtare në email për një gjë të tillë, por ia kishte dërguar një dokument ku thuhej që borxhi ishte në këtë vlerë. Kamerolli në hetuesi ka thënë se i është përgjigjur Berishës në email se nuk ka njohuri për këtë rast, sepse nuk ishte në asnjë fazë i ngarkuar me projektin.
Por të nesërmen ishte ftuar sërish nga kabineti. Kësaj radhe Berisha sipas dëshmisë së Kamerollit ia kishte shkruar opinionin ligjor, i cili duhej të nënshkruhej nga vetë Kamerolli. Madje kishte ultimatum kohor për ta vënë nënshkrimin në një dokument që në fakt nuk ishte hartuar nga ai.
“Dëshmitari tutje deklaron se në momentin që e kishte lexuar opinionin e shkruar nga Eseti nuk kishte pranuar ta nënshkruajë, sepse nuk ishte opinioni i tij, ndërsa Eseti i kishte thënë dëshmitarit se ti brenda ditës duhet ta nënshkruash këtë opinion, për këtë je i obliguar…”, citohet dëshmia e tij në aktakuzë.
Prapë thotë që nuk e ka nënshkruar, por ka kërkuar që i njëjti t’i dërgohet në email.
Në hetuesi Kamerolli ka deklaruar se në orën 09:14 të ditës së njëjtë e ka pranuar këtë email.
Por sërish thotë që nuk ka pranuar ta dërgojë opinionin që e donte këshilltari Berisha, por e ka bërë një version të tijin, bazuar në bindjen që kishte. Ai në këtë opinion ka folur vetëm për mundësinë e zgjatjes së afatit që sipas tij ishte e ligjshme, por nuk është marrë fare me shumën e pagesës. Ai kishte shkruar se një çështje e tillë duhej të adresohej nga “Hill International”, personat përgjegjës që menaxhonin me kontratën, si dhe departamenti i prokurimit.
Opinioni i ishte dërguar kabinetit, por edhe ishte protokolluar.
Aktakuza thotë që ai ishte ftuar sërish në kabinet dhe i ishte kërkuar të ndryshohej ky opinion, konkretisht të hiqej pjesa ku thuhej që “Hill International” ishte përgjegjës për përcaktimin e pagesës.
Thotë që për shkak se situata ishte e tensionuar, nën presion ka pranuar ta ndryshojë deklaratën.
Por sërish ishte ftuar nga Berisha, i cili sipas aktakuzës i kishte kërkuar që të bënte edhe një ndryshim të cilin Kamerolli nuk ka pranuar ta bëjë.
“Tutje deklaron se ai nuk kishte pranuar që të bëhej më asnjë ndryshim për këtë çështje dhe menjëherë kishte dalë nga zyra e Esetit në mënyrë demonstrative, ka shkuar në shtëpi dhe e kishte fikur telefonin celular, ndërsa të nesërmen kishte hyrë në pushim vjetor, ku kishte qëndruar përafërsisht një muaj”, thuhet në aktakuzë.
Disa muaj pas kësaj ngjarjeje, atë e kishin larguar nga puna.
“Më 21 nëntor 2018 i njëjti ishte larguar nga puna nga ish-sekretari Betim Reçica, pa ndonjë arsye, mirëpo siç dyshon ai arsyeja e vërtetë ka qenë se nuk kishte dhënë opinion siç kishin kërkuar ata”, thuhet në fund të pjesës ku citohet dëshmia e Kamerollit.
Në aktakuzë përshkruhen edhe qëndrimet e të akuzuarve gjatë intervistimit, në fazat e hetimit.
“Pal Lekaj deklaron se të gjitha pagesat për kompaninë ndërtuese janë bërë në harmoni me rregullat dhe kontratat e nënshkruara në mes të qeverisë dhe kompanisë ndërtuese”, citohet në aktakuzë deklarata e Lekajt.
E i akuzuari tjetër, ish-sekretari Nebih Shatri në mënyrë direkte përgjegjësinë se pse e ka nënshkruar një marrëveshje pa kosto financiare që i kishte hapur rrugë pagesës se 53 milionë eurove e ka hedhur tek ish-ministri Lekaj.
“Po ashtu pohon faktin se marrëveshja nuk e ka përmbajtur koston financiare ashtu siç parashihet në kontratën bazë dhe rregullat kontraktuale. Mirëpo i njëjti mbrohet me faktin se këtë marrëveshje e ka nënshkruar duke pasur besim të plotë në ministrin e MI, të pandehurin Pal Lekaj”, thuhet aty.
E, i akuzuari i tretë, ish-këshilltari Eset Berisha para hetuesve ka thënë se ai nuk ka pasur ndonjë kompetencë në këtë çështje.
“Ai mohon të ketë kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm në kohën sa ka ushtruar detyrën e këshilltarit, dhe se detyrat e tij kanë qenë këshilluese dhe nuk ka pasur as detyrë dhe as përgjegjësi lidhur me këtë projekt”, ka deklarua ai, sipas aktakuzës.
Prokuroria Speciale në këtë aktakuzë, përveç Lekajt, ka përfshirë edhe ish-këshilltarin e tij, Eset Berisha e ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri. Të tre akuzohen për vepra penale, të listuara në kapitullin për korrupsion.
(artikull i shkruar nga Koha.net)