Kapen dy hajnat që vodhën para në banesën e trajnerit Arbër Peci

Publikuar më:

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë kryer vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash në banesën e trajnerit të fitnesit, Arbër Peci, rast i raportuar disa ditë më parë në Mitrovicë, shkruan “Jepi zë”.

Policia ka njoftuar se, pas një hetimi intensiv të zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicë Jug, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Sipas njoftimit, arrestimi është bërë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme dhe provave të siguruara nga hetuesit, të cilat tregojnë se të dyshuarit, në bashkëveprim, kanë kryer vjedhjen në banesën private të një qytetari në Mitrovicë.

Pas intervistimit dhe veprimeve të nevojshme procedurale, me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 24 orësh.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Arbër Peci, i cili ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe hetuesit për, siç ka thënë ai, punën profesionale dhe efikase në zbardhjen e rastit.

“Janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët sipas hetimeve dyshohet se kanë kryer vjedhjen e një shume parash nga banesa ime”, ka shkruar Peci, duke shprehur shpresën që procedurat ligjore të përfundojnë deri në fund dhe dëmi i shkaktuar të kompensohet sipas ligjit.

JU REKOMANDOJMË