Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se me vendimet e tij i ka bërë favor Serbisë në ekonomi dhe energjetikë.
Haradinaj rikujtoi se më 21 nëntor 2018, si kryeministër, vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, ndërsa, sipas tij, më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi këtë masë dhe e rihapi tregun për produktet nga Serbia.
Ai theksoi se në dhjetor të vitit 2017 kishte nënshkruar projektin me ContourGlobal, me synimin që Kosova të bëhej e pavarur energjetikisht nga Serbia, por pretendon se ky projekt u anulua nga Qeveria Kurti, duke e lënë vendin të varur nga importi i energjisë elektrike.
Sipas Haradinajt, edhe projekti amerikan për gazin u refuzua nga Qeveria në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa tani, kur çështja e gazit është rikthyer në debat, njerëzit pranë pushtetit po përgatiten për protesta kundër tij.
Duke iu referuar raportimeve për hyrjen e kamionëve me mallra nga Serbia dhe shpenzimeve prej qindra milionë eurosh për import të energjisë, Haradinaj ngriti pyetjen nëse Kurti është kundër gazit apo kundër Amerikës.
“Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, ka deklaruar Haradinaj.






