Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka zhvilluar një aksion në disa lokacione të ndryshme.
Aksioni, sipas burimeve të KOHË-s lidhet me hetimet ndaj disa personave të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile” dhe ka nisur në orët e para të mëngjesit.
Siç merr vesh KOHA, njëri nga lokacionet ku është zhvilluar aksioni është komuna e Shtërpces, ndërsa tjetri në rajonin e Anamoraves.
Deri në këtë fazë nuk janë dhënë detaje zyrtare për operacionin. KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë e Kosovës lidhur me përfundimin e aksionit, lokacionet ku është zhvilluar ai, si dhe numrin e personave të arrestuar, por deri më tani asnjëra nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.
Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar, ndërsa priten informacione shtesë nga autoritetet kompetente.







