Gjykimi për vrasjen e rëndë në Mitrovicë, i dëmtuari thotë se është plagosur me armë nga i akuzuari i parë

Publikuar më:

Në Gjykatën Themelorë në Mitrovicë të premten u dëgjua i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Behar Halili, në gjykimin kundër të akuzuarve Leotrim Selimi dhe Bejtë Hasani, të cilët po ngarkohen për veprat penale, vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, nga ku mbeti i vrarë M.K, në shkurt të vitit të kaluar në Mitrovicë.

Në shqyrtimin gjyqësor kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq konstatoi se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e seancës duke qenë se prezent në sallë ishin prokurori i rastit Njazi Rexha, i akuzuari Leotrim Selimi me mbrojtësin e tij sipas autorizimit, avokat Naser Sopjani, i akuzuari i dytë Bejtë Hasani me mbrojtësin e tij sipas autorizimit, avokat Bashkim Mehana, si dhe i dëmtuari/dëshmitari Behar Halili.


Ndërsa nuk prezentoi i dëmtuari tjetër, Florim Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Selimi dhe i akuzuari tjetër, Bejtë Hasani, për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, e pranuan fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, gjykata refuzoi këtë pranim fajësie në kuptim të nenit 248.1 të Kodit të Procedurës Penale, sepse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë në mënyrë të plotë për të gjitha veprat me të cilat ngarkohen.

Prokurori Rexha në fjalën hyrëse të shqyrtimit deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrohen prova të cilat do të dëshmojnë përtej dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen në aktakuzë. Gjendja faktike do të vërtetohet me raportet e autopsisë, raportet e ekspertizës nga Agjensia e Kosovës për Forenzikë, raporti mjekësor i spitalit të përgjithshëm në Mitrovicë në emër të Behar Halilit, raporti mjekësor i emergjencës dhe QKUK-së në Prishtinë në emër të Behar Halilit, fletëlëshimi i QKUK-së, reparti klinik i kirurgjisë C në Prishtinë në emër të Florim Sadikut, raporti mjekësor i Florim Sadikut lëshuar në Poliklinikën “Jeta” në Mitrovicë, xhirimet e kamerave marrë në vendin e ngjarjes dhe fotoalbumi i njësisë së forenzikës.

Ndërsa, i dëmtuari Behar Halili deklaroi se qëndron pranë fjalës hyrëse të prokurorit të rastit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokat Naser Sopjani deklaroi së në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se përshkrimi faktik për akuzën e parë ndaj të akuzuarit Selimi nuk përkon me të vërtetën faktike, mbrojtësi konsideron se kemi të bëjmë me një situatë filluar nga fundi në drejtim të fillimit, e që kjo pa dyshim, cilësimit të veprës i jep ngjyrim tjetër, dhe deklaroi se kjo vërtetohet nga provat, incizimi, dëshmitarët, dhe provat materiale në vend të ngjarjes.

“Është për fat të keq që një person ka humbur jetën dhe të tjerë kanë pësuar lëndime, por është një ngjarje që do të vërtetohet gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, e që për ta gjetë të vërtetën në këtë do duhej të përmendej se kishte një sulm fizik drejtuar të mbrojturit tim nga Behar Halili, por kjo situatë nuk është ndjekur nga prokuroria”, deklaroi mbrojtësi Sopjani.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokat Bashkim Mehana deklaroi se gjatë administrimit të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor, do të vërtetohet fakti se sa i përket veprimeve te ndërmarra natën kritike nga ana e të mbrojturit të tij Bejtë Hasani, nuk plotësohen elementet qenësore te veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.

Përderisa gjykata vazhdoi me procedurën provuese, i dëmtuari Behar Halili u morr në pyetje nga palët prezente.

Fillimisht, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit lidhur me ndodhitë e mbrëmjes së 12 shkurtit 2021, para lokalit të “Proper Pizzes”, ku i vdekur kishte mbet M.K, i dëmtuari deklaroi se kishte shkuar në vendin e ngjarjes pasi që ishte njoftuar se para derës së lokalit në fjalë kishin ardhur disa persona, të cilët e kishin bllokuar derën e hyrjes dhe kishin penguar procesin e punës.

Ai tha se pasi që ka dalë nga automjeti, i dëmtuari Halili kishte marrë një kabull të rrymës në dorë dhe kishte vazhduar drejt tyre, ndërsa i dëmtuari tjetër Mentor Beqiri posa është afruar 5-6 metra, pasi që të akuzuarit ua kishin drejtuar armët, i ka thënë të dëmtuarit Halili që të ndalojë, dhe ky i fundit i ka ngritë duart lart dhe në atë sekondë e kanë plagosur.

Dëshmitari deklaroi se personi i njëjtë që e ka gjuajtur duke e lënë të plagosur, është i njëjti që e ka vrarë të ndjerin M.K, ndërsa deklaroi se i akuzuari i dytë e ka plagosur Florim Sadikun.

Tutje, deklaroi se në vendin e ngjarjes kanë qenë rreth 10-20 persona, ku më shumë se tre prej tyre kanë pasur armë në dorë, ndërsa tha se në momentin kur kanë shkuar tek lokali, dhe Mentor Beqiri e Florim Sadiku janë afruar, grupi i “Maestro”-s i kanë repetitë dhe i kanë ngritur armët drejt tyre, duke e plagosur Behar Halilin të parin, tutje duke e qëlluar për vdekje edhe të ndjerin M.K, pastaj duke e qëlluar me plumbin e dytë të dëmtuarin Halili.

Dëshmitari/i dëmtuari Behar Halili deklaroi përsëri, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, se i ka parë personat që kanë shtënë në të, në të ndjerin M.K dhe në Florim Sadikun.

I njëjti deklaroi se nuk i ka njohur personat që kanë qenë tek lokali dhe që i kanë sulmuar, por që më vonë e ka bërë identifikimin e tyre përmes rrjeteve sociale.

Ndërsa, i dëmtuari Halili konstatoi se të akuzuarit i ka identifikuar edhe me foto në prokurori, duke përsëritur se i akuzuari i parë, Leotrim Selimi, e ka plagosur atë dhe e ka vrarë tashmë të ndjerin M.K, ndërsa i akuzuari i dytë, Bejtë Hasani, e ka plagosur Florim Sadikun.

Tutje, me marrjen në pyetje të dëshmitarit/të dëmtuarit Halili vazhdoi mbrojtësi i të akuzuarit të parë, avokat Naser Sopjani.

Në përgjigjet ndaj avokatit Sopjani, dëshmitari deklaroi se askush nga “Proper Pizza” nuk ka pasur mosmarrëveshje ato ditë me dikë tjetër, dhe theksoi se menagjeri i sallës e ka njoftuar në lidhje me problemin në natën kritike, pasi që të njëjtin e njoftojnë për gjithçka në lidhje me punën, meqenëse është menagjer i lokalit, dhe i dy kompanive të tjera, të cilat e kanë të njëjtin pronar.

Mbrojtësi i të akuzuarit të parë, duke e pyetur për arsyen e shkuarjes së grupit të “Maestro”-s tek lokali i “Proper Pizza”-s, dëshmitari deklaroi se sipas të gjitha gjasave ka qenë një mosmarrëveshje në lidhje me një punëtor.

Tutje, mbrojtësi e ballafaqoi dëshmitarin me disa deklarata të tij në lidhje me rastin, të dhëna në polici dhe prokurori, e që në një pjesë janë të ndryshme nga ajo çfarë u deklarua sot në gjykatë nga dëshmitari, e që për këtë, gjyqtari Markoviq konstatoi se gjykata vendos se cilin version të deklaratës së dëshmitarit ta vlerësoj.

Tutje, dëshmitari deklaroi se pasi që është njoftuar në telefon se lokali është bllokuar nga disa persona, ka menduar se mund të jetë ndonjë problem më i zakonshëm, dhe asnjëherë si ka shkuar në mend se kanë ardhë me qëllimin për t’i privuar nga jeta.

Duke u kthyer në momentin e incidentit kur kanë filluar të shtënat me armë, dëshmitari deklaroi se e ka përcjellur ngjarjen 90% të kohës, edhe pse i plagosur, i ka parë momentet kritike të vdekjes së tashmë të ndjerit M.K, dhe plagosjen e Florim Sadikut.

Dëshmitari Halili deklaroi se ai dhe i ndjeri M.K gjatë të shtënave pandërprerë janë plagosur nga personi i njëjtë, nga i akuzuari i parë dhe se është gjuajtur nga arma e të akuzuarit të parë, e ka vërtetuar edhe me konstatimin e mjekut, i cili i kishte thënë Behar Halilit gjatë mjekimit, se kishte qenë me fat që nuk është goditur nga një armë tjetër, 9-she apo 15-she.

Tutje, mbrojtësi Sopjani e ballafaqoi dëshmitarin me një pjesë të deklaratës së tij të dhënë në prokurori, ku kishte thënë “pas plagosjes e kam kthyer kokën prapa dhe e kam parë M.K të shtrirë në tokë”, ndërsa sipas mbrojtësit, deklarata është dhënë sot ndryshe gjatë dëshmisë, pasi që dëshmitari Halili deklaroi se e ka parë tashmë të ndjerin M.K gjatë gjithë kohës, kur e kanë gjuajtur me armë, duke rënë në tokë, dhe shtrirë.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.