Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në fshatin Lipovec të Gjakovës, ku një i mitur dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij, pasi ajo u përpoq ta ndalonte të merrte vegla pune nga shtëpia.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 7 korrik, rreth orës 06:00, ndërsa viktimë është S. A. (45 vjeç).
Sipas deklarimit të saj, djali i saj, A.L. (18 vjeç), kishte marrë një set veglash pune nga shtëpia me qëllim që t’i shiste, një veprim që, sipas saj, e kishte bërë edhe më herët.
Kur nëna është përpjekur t’ia marrë veglat, i mituri dyshohet se e ka goditur me grusht në pjesën e stomakut dhe më pas është larguar nga shtëpia, duke marrë me vete veglat.
Edhe pse nuk kishte lëndime të dukshme, viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor. Ajo gjithashtu nuk ka pranuar të strehohet dhe as të kërkojë urdhër mbrojtjeje, duke deklaruar se nuk ndihet e rrezikuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia ka zhvilluar kërkime në banesë dhe në disa lokacione të tjera për kapjen e të miturit, por ai nuk është gjetur dhe vazhdon të jetë në kërkim.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për të Mitur, i cili ka urdhëruar që të njoftohet sërish sapo i dyshuari të lokalizohet dhe arrestohet, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme procedurale.
Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe hetimet janë në vazhdim.








