Pas reagimeve të shumta lidhur me rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit, ka reaguar edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, duke shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit.
Në reagimin e saj, ambasada thekson se është duke i monitoruar nga afër ngjarjet dhe nënvizon se respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku personat e prekur të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtat e tyre.
“Ambasada Britanike është e shqetësuar nga rrënimi i shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit/Gazivodës dhe po i monitoron nga afër zhvillimet. Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku të prekurit të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Më tej, Ambasada Britanike kërkon që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e Kosovës dhe u bën thirrje institucioneve që të angazhohen me komunitetet e prekura.
“Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe të paanshme në gjithë Kosovën. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, të adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të minojnë besimin publik ose besimin ndërmjet komuniteteve”, përfundon reagimi i Ambasadës Britanike.






