Dogana kap një çantë me pare, i konfiskon 25%

Publikuar më:

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë konfiskuar 25 për qind të një shume monetare të padeklaruar gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë kontrollit në hyrje të Republikës së Kosovës është ndaluar një automjet me targa vendore, i cili kishte ngjallur dyshime te zyrtarët doganorë për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën ishte paraqitur në pikën kufitare.

Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit.

Megjithatë, bazuar në analizën e rrezikut, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të detajuar të automjetit, ku janë gjetur mjete monetare në vlerë mbi kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore përkatëse në përputhje me legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe rregullave për deklarimin e mjeteve monetare në kufi.

Në këtë rast, është konfiskuar 25 për qind e shumës së mjeteve monetare të padeklaruara, ndërsa për pjesën tjetër është kërkuar dokumentacion dhe dëshmi që vërtetojnë origjinën e ligjshme të parave.

Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore, ndërsa procedurat do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të shqyrtimit administrativ dhe ligjor.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, në para të gatshme ose mjete të tjera monetare të bartshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore.

Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë konfiskimin e pjesshëm të mjeteve dhe zhvillimin e procedurave për verifikimin e origjinës së tyre.

JU REKOMANDOJMË