Bordi Mbikëqyrës është organi më i lartë i Ndërmarrjes “Trepça”, e të gjitha pozitat tjera konsiderohen si të punësuar të këtij bordi.
Kështu konsiderohet edhe pozita e drejtorit teknik, të cilët e mban Shyqyri Sadiku, i cili në të njëjtën kohë është edhe anëtar i bordit, shkruan “Jepi zë”.
Prej kohësh, Sadiku po vazhdon të mbajë këto dy pozita që bien në konflikt të interesit, pasi anëtari i bordit konsiderohet që i ka të punësuar kryeshefin, drejtorët e madje edhe gjithë minatorët.
Sidoqoftë, për Sadikun ky nuk është problem, ani pse i bie se si drejtor bordi është shef i pozitës që mban si drejtor teknik. Madje, Sadiku merr paga për të dyja pozitat, edhe atë të majme.
Por jo vetëm kaq, pasi Sadiku mban edhe një pozitë tjetër në kompani, duke e çuar në 3 numrin e pozitave. Ai është anëtar i Çetës së Shpëtimit, për të cilën punë paguhet poashtu.
Përveç që kjo gjë qartësohet me ligj, “Jepi zë” do t’i drejtohet edhe Agjencionit Kundër Korrupsionit, për të marrë një vlerësim për ligjshmërinë e pozitave të Sadikut. Gjithashtu, do të publikohen edhe pagat që i merr ky drejtor i dyfishtë.
Ndryshe, Trepça është në periudhën më të rëndë në kohën e fundit, e rrënuar ekonomikisht ku nuk po mund të sigurohen as pagat, si dhe e rrënuar në imazh për shkak të skandaleve të fundit si ai me dyshimet për vjedhje të koncentratit.