Don Shan Zefi, Vikar Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë, ka bërë edhe një reagim pas debatit të shkaktuar nga një intervistë e tij dhënë në radion gjermane Deutschlandfunk, duke mohuar pretendimet se ka bërë deklarata përçarëse me bazë fetare.
Shan Zefi ka thënë se deklaratatat e tij janë “shtrëmbëruar dhe interpretuar gabimisht”, teksa u ka kërkuar ndjesë të gjithë atyre “që mund të jenë ndier të lënduar ose të ofenduar nga mënyra se si është interpretuar intervista ime”.
“Unë asnjëherë nuk kam deklaruar dhe as nuk kam menduar se përkatësia fetare e një shqiptari përcakton shpirtin e tij kombëtar. Pretendimi se kinse kam thënë se një shqiptar mysliman nuk ka shpirt shqiptari është një shpifje e pastër dhe një falsifikim i fjalëve të mia, i cili nuk ka asnjë mbështetje në intervistën origjinale”, thuhet në reagimin e tij.
Zefi në këtë intervistë kishte thënë se “[…]sepse me kostume, tesha, kostum, e me këto veshje, nuk ka shpirt. Do të thotë, nuk ka shpirt shqiptari”, derisa mediumi e kishte përkthyer deklaratën e tij në gjermanisht, duke e cituar: “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”.







