Detaje nga vrasja e mbrëmshme në Mitrovicë: Hajnat e thyen shitoren kur u ndal rryma

Publikuar më:

Pas 20 vitesh shitores “Selaci” në Mitrovicë sot i ishte vënë dryni. Në derën e saj ishte ngjitur njoftimi për vdekjen e pronarit Ali Maloku, i cili një natë më parë dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga njëri prej dy personave të maskuar që hynë për të plaçkitur në shitore. 

Vrasja e 69-vjeçarit, Ali Maloku, ndodhi në shitoren që e kishte mbajtur hapur për 20 vite rresht. Krimi ndodhi gjatë kohës sa Mitrovica po përballej me reduktime të energjisë elektrike.

Mungesën e energjisë elektrike e kishin “shfrytëzuar” hajnat për të plaçkitur, por aksioni i tyre kriminal përfundoi me vrasjen e pronarit.

Motra e 69-vjeçarit të vrarë Xhezmije Maloku, tha se vëllai i saj u sulmua nga dy persona të maskuar dhe gjatë asaj kohe ishte i vetëm në vendin e punës. Sipas saj, shitorja e Ali Malokut ka qenë cak i hajnave edhe në të kaluarën.

“Kanë tentu më herët me thy marketin, por jo me sulmu vëllain, ka qenë vetëm marketi. Në momentin që mbrëmë u ndal rryma ka ora 21:15 ka qenë, qysh kanë tregu i kanë hy dy persona me maska. Brenda ka pas ndriçim, por jashtë s’ka pas, pamja ka qenë pa dritë, por vetëm s’ka mujt me mbrojt vetën ai kurqysh. Vëllai zakonisht deri në orë 23:00 ka punu”, tha ajo për Gazetën Express.

Ajo shtoi se vëllai i saj nuk ka fëmijë, ndërsa gruan e ka me probleme shëndetësore. Ndërsa çfarë do të ndodh tutje me shitoren e tij, motra e viktimës tha se do të vendos vëllai tjetër i tyre.

JU REKOMANDOJMË