Çfarë do të ndodhë me qindra pajisje të kriptovalutave që u konfiskuan nga policia

Publikuar më:

Institucionet e Kosovës kanë konfiskuar në ditët e para të janarit 429 pajisje që shërbejnë për mihjen e kriptovalutave.

Konfiskimi pason masat emergjente për energji elektrike, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pajisjet me të cilat prodhohen kriptovalutat, shpenzojnë shumë energji elektrike, dhe për ta kursyer atë, kanë marrë vendim për ndërprerjen e prodhimit të parave digjitale.

Në ditët e fundit janë zhvilluar disa aksione për konfiskimin të pajisjeve për mihjen e kriptovalutave, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si janë duke u identifikuar personat që merren me këtë veprimtari.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elashni, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mënyra të ndryshme për identifikimin e atyre që njihen si “ferma” të mihjes së kriptovalutave.

“Identifikimi mund të bëhet përmes bashkëpunimit të qytetarëve, pastaj mund të bëhet edhe përmes shikimit të aktivitetit në internet. Përmes furnizueseve të internetit ka mundësi që të detektohet trafiku që shfrytëzohet për mihjen e kriptovalutaeve, sepse ato [pajisjet] përdorin protokolle të veçanta të rrjetit”, thotë Elshani.

Pjesa e veriut të Kosovës, e përbërë nga komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, besohet se është shndërruar në lokacion joshës për hapjen e “fermave” për kriptovaluta.

Kjo për faktin se në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qytetarët nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar qysh në vitin 1999.

Po ashtu, ofruesit e internetit atje janë kryesisht nga Serbia dhe veprojnë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Por, Elshani thotë se kjo nuk paraqet problem për t’i identifikuar ata që merren me mihje të kriptovalutave.

“Pavarësisht se prej nga vjen interneti, mund të detektohen përmes pajisjeve që gjenden në Kosovë, si routerëve [pajisje për internet] të ndryshëm, pastaj edhe pajisjeve të tjera, të cilat e mundësojnë ndërlidhjen me internet”, thotë Elshani.

Më 8 janar, Policia dhe Doganat e Kosovës kanë konfiskuar 272 pajisje Antminer për prodhimin e kriptovalutave në Leposaviq.

Doganat e Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se do të konfiskohet çdo pajisje që shërben për mihjen e kriptovalutave, në rast se nuk i ka dokumentacionet e nevojshme.

“Secila pajisje apo produkt që është në Kosovë dhe nuk ka procedura doganore, pra nuk është i zhdoganuar, automatikisht i nënshtrohet konfiskimit”, thanë Doganat e Kosovës.

Ato nuk sqaruan se çfarë do të ndodhë me pajisjet e konfiskuara.

Sipas Kodit Doganor dhe Akcizave në Kosovë, nëse një person juridik apo fizik sjell në mënyrë të fshehur mallin në Kosovë, ai mall do të konfiskohet.

Ai mall mund t’i kthehet pronarit apo kryesit të shkeljes administrative doganore, sipas kërkesës, në qoftë se është fjala për mallin, për të cilin janë plotësuar kushtet e importit dhe me kusht që paraqitësi i kërkesës paguan vlerën e mallit dhe detyrimet importuese.

Ndryshe, Kodi parasheh që malli i konfiskuar mund t’i nënshtrohet shitjes

JU REKOMANDOJMË