Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar shkelje serioze gjatë një inspektimit të barnatores “Naya” në Mitrovicë, ku janë gjetur produkte medicinale të paautorizuara për tregun e Republikës së Kosovës.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Front Online, barnatorja në fjalë, në momentin e inspektimit, është gjetur e hapur, ndërsa shërbimi farmaceutik po ofrohej nga Farmacisti Përgjegjës, Valon Peci.

Gjatë kontrollit në depon e barnatores, në prezencë të farmacistit përgjegjës, inspektorët kanë hasur në produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës. Sipas procesverbalit, një pjesë e këtyre produkteve ishin me banderola nga Serbia, Maqedonia, ndërsa disa të tjera ishin pa banderolë.

Ajo që e bën edhe më serioz rastin është fakti se, sipas dokumenteve, pala nuk ka ofruar dëshmi për prejardhjen e këtyre produkteve medicinale.
Produktet e gjetura janë fotografuar në vendin e ngjarjes për t’u përdorur si dëshmi, ndërsa më pas janë regjistruar në fletat përmbledhëse për produkte dhe pajisje medicinale të konfiskuara me numra serikë 000375, 000368 dhe 000369.

Të njëjtat, sipas procesverbalit, janë nënshkruar nga trupa inspektuese dhe nga farmacisti përgjegjës, Valon Peci, raporton Front Online.

Në fund të inspektimit është hartuar procesverbali me numër serik 0001571, i cili i është lexuar farmacistit përgjegjës dhe është nënshkruar nga palët pa asnjë vërejtje.

Sipas gjetjeve të Inspektoratit Farmaceutik, pala ka vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, konkretisht me dispozitën që përcakton se barnatorja duhet të blejë produkte medicinale dhe pajisje medicinale vetëm nga entitetet që janë bartës të licencës farmaceutike për qarkullim me shumicë.

Po ashtu, sipas procesverbalit, janë shkelur edhe dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2015, i cili përcakton se barnatoret mund të qarkullojnë vetëm barna sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës dhe mund të furnizohen vetëm nga laboratorët galenikë të licencuar dhe qarkulluesit me shumicë të licencuar pranë AKPPM-së.








