Sipas gjetjeve të Auditorit, e njëjta ia kreu disa shërbime “këshillimi dhe përfaqësimi ligjor” Ambasadës.
300 euro për një orë pune e pagoi një firmë, Ambasada e Kosovës në Berlin në vitin 2023, gjatë kohës që në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ishte Donika Gërvalla. Sipas gjetjeve të Auditorit, e njëjta ia kreu disa shërbime “këshillimi dhe përfaqësimi ligjor” Ambasadës. Për më tepër, për këtë kontratë nuk u emërua as menaxher i saj, duke kufizuar kështu mundësinë e monitorimit dhe verifikimit të zbatimit të saj sipas kushteve të përcaktuara.
Zyra Kombëtare e Auditorit, në raportin e saj për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se operatori ekonomik e ka faturuar Konsullatën në Frankfurt gjithësej 39 mijë e 181 euro.
Pavarësisht se mjetet janë ekzekutuar, nuk janë ofruar dëshmi që vërtetojnë se shërbimet janë kryer.
“Nga mostra e testuar është vërejtur se operatori ekonomik ka faturuar Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Frankfurt për shërbime të ofruara ndaj kësaj konsullate, në vlerë totale prej 39,181€. Ndonëse Konsullata ka ekzekutuar pagesën, nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme dhe relevante (si p.sh. time-sheets të detajuara ose output-e specifike), që vërtetojnë se orët e faturuara korrespondojnë me shërbimet reale të kryera”, ka theksuar Auditori në gjetjet e tij.
Sipas ZKA-së(Zyrës Kombëtare të Auditimit), kjo ka ndodhur si rezultat i mos-emërimit të një menaxheri të kontratës dhe mungesës së një procesi formal për pranimin e shërbimeve (Raporti i pranimit), i cili do të duhej të verifikonte saktësinë e orëve të faturuara përpara se të procedohej me pagesën.
Në raportin e plotë të Auditorit për Ministrinë e Punëve të Jashtme janë evidentuar edhe një sërë shkeljesh në procedurat e tenderëve.







