Ish-kryetari i Mitrovicës dhe ish-deputeti, Agim Bahtiri, ka pritur në konakun e tij disa përkrahës, të cilët i kanë shprehur mbështetje në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga një pjesëmarrës në takim, Bahtiri dëgjohet duke diskutuar për proceset zgjedhore në Mitrovicë, përfshirë edhe zgjedhjet lokale për kryetar komune, të cilat në balotazh janë fituar nga kandidati i LVV–GUXO, Faton Peci.
Gjatë bisedës me përkrahësit, Bahtiri shprehet se ka hasur në rezistencë të papritur për votimin e Faton Pecit dhe se, sipas tij, është dashur angazhim i madh personal për të siguruar fitoren.
“Unë e pashë pak problem çështjen e kryetarit aktual, e pash një rezistencë bukur të madhe, bre, që s’e kom prit. Mu duft shumë me i dhanë zor une, për me u mujt me u kry,” dëgjohet të thotë Bahtiri në video.
Deklarimin e tij e përforcon edhe një nga përkrahësit e pranishëm në takim, i cili thekson se, sipas tij, fitorja nuk do të ishte arritur pa angazhimin në momentet e fundit.
“Mos t’u çojshi ju kohën e fundit me i dhezë motorat, ai hupi,” dëgjohet duke thënë përkrahësi, duke e krahasuar situatën me zgjedhje të mëparshme.
Videoja e publikuar përfundon me një tjetër deklaratë të Bahtirit, i cili shprehet i befasuar me zhvillimet zgjedhore në Mitrovicë.
“Qikjo po më befason mu se çka është t’u ndodh,” thotë ai.







