Abdixhiku për VV-në: Numrat nga terreni i tmerruan, prandaj po duan t’i shtyejnë zgjedhjet

Publikuar më:

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca se zgjedhjet lokale të shtyhen për shkak të pandemisë.


Ai tha askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe se askush s’guxon ta prekë demokracinë.

Abxhiku tha se kjo deklaratë e nënkryetarit të Vetëvendosjes vjen për shkak se nuk janë mirë përkrahje elektorale.

“Numrat zgjedhorë nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”.

“Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”.

“KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”.

Abdixhiku ka ftuar të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si “themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufi”.

Konjufca ka deklaruar se adresimet e kryetarit të LDK-së dhe PDK-së ishin të arsyeshme sa i përket zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore.

“Unë pajtohem plotësisht me këtë qëndrim. Fushata zgjedhore jo vetëm që duhet të shkurtohet, por unë do të thosha ndoshta të hiqet krejt për shkak të pandemisë”.

JU REKOMANDOJMË