“A ka ndonjë kafe për këta burra?”, kështu kërkonin ryshfet policët që u arrestuan dje

Publikuar më:

Aksioni “Pika”, njëri prej operacioneve më të mëdha në vend kundër krimit të organizuar e korrupsionit ishte realizuar dje në orët e hershme të mëngjesit.

Aksioni ishte zhvilluar në Prizren e Gjakovë. Më konkretisht në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafë Prushë.

Të arrestuar kanë mbetur rreth 50 zyrtarë policorë, të njëjtit dyshohen për veprën penale ‘marrje ryshfeti’ dhe ‘keqpërdorim i autoritetit zyrtar’.

Ndërkaq, sot Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, 48 zyrtarëve policorë dhe 2 zyrtarëve doganorë sipas operacionit të koduar me emrin “Pika”.

Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin, avokati Bledar Gashi, mbrojtës i të dyshuarit A.Sh.

A ka ndonjë kafe?

Kjo pyetje u ishte bërë qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë vitit të kaluar, të cilët kanë kaluar përmes pikës kufitare në Qafë Prush në Komunën e Gjakovës.

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, njëri nga policët e arrestuar, me inicialet U.M, dyshohet të ketë pyetur një qytetar: “A ka ndonjë kafe a ndonjë send për këta burra a jo?”.

Shoferi i një kamioni të vogël me ngjyrë të gjelbër, kishte pranuar kërkesën e policit dhe dyshohet se u ka dhënë para zyrtarëve policorë.

Dy muaj më herët, më 28 gusht pas orës 19:00, një veturë me ngjyrë të zezë ishte ndalur te kabina ku qëndronte polici A.TH, dhe i kishte thënë “i ke në librezë”, ku dyshohet t’ia ketë lënë 300 euro.

Pak minuta më vonë, aty kishte ardhur një veturë tjetër e tipit “Ford”, ngjyrë hiri, që kaloi shpejt pa u kontrolluar fare.

Nuk vonoi shumë dhe në të njëjtën pikë kufitare u ndalua një furgon i bardhë, që dyshohet se transportonte 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.

Dyshohet se shoferi ua kishte dhënë nga 100 euro tre policëve që ishin në ndërrim.

Sipas kërkesës për paraburgim, më 15 tetor 2021, policët tani të dyshuar, S.H dhe A.P, kishin marrë nga një qytetar 400 euro, në mënyrë që të lejonin futjen në Kosovë të disa pajisjeve për ashensor.

Sipas Prokurorisë, një banor i fshatit Runik të Komunës së Skenderajt, për të futur 10 arka me kërpudha në Kosovë, dyshohet se i kishte dhënë para policit kufitar A.TH, derisa ai ishte në kabinë për kontrollimin e pasaportave. Ai kishte marrë paratë me dorën e djathtë dhe pastaj e ka regjistruar qytetarin dhe ia ka lejuar hyrjen në Kosovë duke mos iu nënshtruar procedurave doganore.

JU REKOMANDOJMË