Energjia, siguria dhe teknologjia ishin në fokus të takimit të parë, ndërsa dialogu strategjik me Kosovën vazhdon të jetë i pezulluar.
Të premten, më 17 korrik, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar rundin e parë të Dialogut Strategjik me Marko Gjuriqin, ministrin e Jashtëm të Serbisë.
Një deklaratë e përbashkët pas takimit, të lëshuar nga Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH), thuhet se temat kryesore të këtij Dialogu Strategjik do të jenë energjia, bashkëpunimi ekonomik, mbrojtja dhe siguria, si dhe shkenca e teknologjia.
Teksa Serbia ka zhvilluar Dialogun e parë me amerikanët, Kosova vazhdon të mos ketë një dialog të tillë, pasi ai ishte pezulluar në shtator të vitit të kaluar.
Teksti i plotë i deklaratës së përbashkët të Amerikës dhe Serbisë pas takimit të parë në kuadër të Dialogut Strategjik:
Energjia dhe bashkëpunimi ekonomik
Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale. SHBA-ja mirëpriti gjithashtu vendimin paraprak të Serbisë për të vazhduar me projektin hidroenergjetik Gjerdap III (Iron Gate III), si projekti i parë i identifikuar në kuadër të Marrëveshjes Ndërqeveritare për Energjinë. Ky projekt përbën një investim të madh në infrastrukturën energjetike rajonale dhe një hap drejt një Serbie më të pavarur nga ana energjetike.
Të dy vendet mirëpritën gjithashtu njoftimin për një garanci kredie prej 50 milionë dollarësh nga Export-Import Bank e Shteteve të Bashkuara për Telekom Srbija Group, me qëllim shtrirjen e rrjetit 5G në Serbi duke përdorur furnizues të besueshëm, gjë që do të rrisë sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve të komunikimit të Serbisë.
Bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje
Shtetet e Bashkuara dhe Serbia riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe u zotuan të shtojnë ritmin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
Të dyja vendet vlerësuan 20 vjet bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Gardës Kombëtare të Ohajos dhe Forcave të Armatosura të Serbisë në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.
Serbia ka kërkuar të blejë pajisje ushtarake amerikane, të cilat do të shërbejnë për të rritur ndërveprueshmërinë e forcave të armatosura dhe për të forcuar marrëdhëniet e krijuara gjatë stërvitjeve dypalëshe, shumëpalëshe dhe misioneve të përbashkëta paqeruajtëse.
Përveç kësaj, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka ndarë 1.5 milionë dollarë për vazhdimin e bashkëpunimit në çminimin humanitar, me qëllim pastrimin e minave tokësore dhe mjeteve të pashpërthyera.
Shtetet e Bashkuara shprehën gjithashtu ngushëllimet e tyre të thella për humbjen, në muajin qershor, të një paqeruajtësi serb që shërbente në Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban.
Shkenca dhe teknologjia
Shtetet e Bashkuara mirëpritën vendimin e Serbisë për t’iu bashkuar Marrëveshjes Artemis. Ky është një grup parimesh për eksplorimin dhe përdorimin civil të hapësirës në mënyrë transparente, të sigurt dhe të përgjegjshme, që do të mundësojë zgjerimin e bashkëpunimit paqësor në eksplorimin e hapësirës së thellë përmes shkëmbimit të njohurive dhe të dhënave shkencore.
Nisma të tjera dypalëshe
Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për ndarjen e kostove të programit Fulbright.
Angazhimi i Serbisë për të kontribuar me 300 mijë dollarë në vit për zgjerimin e këtij programi historik të shkëmbimit do të krijojë mundësi shtesë për studiuesit dhe studentët më të mirë amerikanë dhe serbë për të dhënë mësim dhe për të kryer kërkime shkencore në dobi të të dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara ritheksuan angazhimin e tyre, të formalizuar gjatë vizitës së zëvendëssekretares për Diplomaci Publike, Sarah Rogers, në maj të vitit 2026, për të marrë pjesë në Expo 2027 në Beograd, një ngjarje historike dhe ekspozita e parë e specializuar që do të mbahet në Ballkanin Perëndimor.
SHBA-ja mirëpriti gjithashtu gatishmërinë e Serbisë për të shqyrtuar mundësinë e bashkimit me iniciativën Best Practices for the Washington Principles on Nazi-Confiscated Art.
Nga ana e saj, Serbia njoftoi synimin për të thelluar marrëdhëniet dhe angazhimin me Shtetet e Bashkuara duke hapur konsullata të reja në Miami dhe San Francisko.










