Zyrtari policor nga Skënderaj merr pjesë në mision ndërkombëtar në Mal të Zi

Publikuar më:

Policia e Kosovës edhe këtë vit është bërë pjesë e projektit ndërkombëtar “Sezoni Turistik i Sigurt 2026”, që organizohet nga Administrata e Policisë së Malit të Zi me qëllim garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror në zonat bregdetare.

Projekti, i cili po zbatohet për të 16-in vit me radhë, zhvillohet nga 1 korriku deri më 1 shtator 2026 dhe përfshin angazhimin e 75 zyrtarëve policorë nga tetë shtete, të cilët patrullojnë së bashku me Policinë e Malit të Zi në komunat bregdetare.

Përveç Policisë së Kosovës, në këtë nismë marrin pjesë edhe oficerë policie nga Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Italia dhe Rumania.

Pjesë e këtij misioni ndërkombëtar është edhe zyrtari policor nga Skenderaj, Arian Mecinaj, i cili po përfaqëson Policinë e Kosovës në kuadër të patrullimeve të përbashkëta në bregdetin e Malit të Zi.

Prania e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në këtë projekt synon të ndihmojë në rritjen e sigurisë për qytetarët dhe turistët, si dhe të lehtësojë komunikimin me shtetasit kosovarë që zgjedhin bregdetin e Malit të Zi për pushimet verore.

Sipas autoriteteve malazeze, patrullimet e përbashkëta forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar policor, rrisin efikasitetin në ofrimin e ndihmës për turistët dhe kontribuojnë në një sezon turistik më të sigurt.

JU REKOMANDOJMË