Gjykata e Apelit ia ulë dënimin serbit që sulmoi zyrat e KQZ-së

Publikuar më:

Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit ia ka zbutur dënimin Dejan Pantiqit nga 2 në 1 vit burgim lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-ës. Kurse, vërtetoi pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin Milun Milenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq u dënuan me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq. Pantiq u dënua me 2 vjet burgim, Milenkoviq dhe Vllajiq me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kujtojmë se Vllajiq më 5 qershor 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë është shpallur fajtor edhe për veprën penale të spiunazhit, duke u dënuar me 5 vjet burgim pasi kishte pranuar se ishte agjent i BIA-s.

Lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, Apeli kishte mbajtur seancë për të dëgjuar pretendimet ankimore të palëve më 28 prill 2026.

Vendimi i shkallës së dytë del të jetë marrë nga trupi gjykues me këtë përbërje: Ferit Osmani- kryetar i kolegjit, Albina Shabani-Rama dhe Avni Mehmeti- anëtarë.

JU REKOMANDOJMË