Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë në ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre 2026”, i organizuar nga KFOR në kampin Vrellë, me pjesëmarrjen e institucioneve kryesore të sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave në vend.
Sipas njoftimit të FSK-së, ushtrimi kishte për qëllim testimin e procedurave operacionale, komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me synim rritjen e gatishmërisë për reagim në situata të ndryshme krize.
FSK mori pjesë me njësitë e Gardës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, ekipet për Asgjësimin e Mjeteve Shpërthyese (EOD), si dhe personelin mjekësor. Gjatë ushtrimit, këto njësi demonstruan profesionalizëm, gatishmëri dhe aftësi të larta operacionale në realizimin e detyrave të tyre.
Në ushtrimin “Golden Sabre 2026” morën pjesë edhe KFOR, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe EULEX, duke forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe reagimin ndaj emergjencave në Kosovë.







