Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe se partitë politike duhet të angazhohen për arritjen e marrëveshjeve që mundësojnë funksionalizimin e institucioneve.
Sipas tij, mundësitë për krijimin e një qeverie me mbështetje minimale parlamentare ekzistojnë, por sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, e cila kërkon konsensus politik ndërmjet partive.
“Problemi nuk ka qenë asnjëherë vetëm te qeverisja, por te zgjedhja e presidentit. Në thelb, mungesa e vullnetit për marrëveshje politike mes partive ka krijuar bllokada institucionale”, tha Abdixhiku.
Ai vlerësoi se një qeveri mund të formohet edhe me 61 apo 62 deputetë, por theksoi se stabiliteti afatgjatë institucional nuk mund të sigurohet pa bashkëpunim politik, veçanërisht për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kreu i LDK-së bëri thirrje që partitë të nisin diskutimet duke u fokusuar fillimisht në parime dhe në nevojën për stabilitet institucional.
“LDK-ja ka një pozicion të qartë. Duhet patjetër të krijohen institucionet. Kushdo që kërkon zgjedhje të reja nuk e do të mirën e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Abdixhiku theksoi se partitë politike duhet të ulen së bashku, të analizojnë raportet numerike në Kuvend dhe të gjejnë zgjidhje që garantojnë funksionimin normal të institucioneve dhe shmangien e krizave të reja politike.
“Absolutisht. Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur. Është i çmendur, nuk e do të mirën e Republikës së Kosovës. Kushdo që do zgjedhje të reja edhe një herë, nuk e do të mirën e Republikës së Kosovës. Pra partitë politike duhet të kërkojnë stabilitetin institucional si vlerë bazike, si parim bazik. Pra i pari, po nisim për stabilitet institucional. Tani si duket ky stabilitet institucional? Ulen partitë, shohin se si janë numrat matematikorë në drejtim, edhe vendosin”, tha Abdixhiku në Rubikon në Klan Kosova.








