Blerina Maloku, 22 vjeçare nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë, është bërë e pakapshme për Policinë e Kosovës, e cila tash e një kohë po e kërkon në kuadër të një hetimi për vepra që lidhen me narkotikët, shkruan “Jepi zë”.
Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda e ka shpallur në kërkim të dyshuarën, ndërsa publikimi i fotografive të saj është bërë për të ndihmuar në lokalizimin dhe arrestimin e saj.
Sipas autoriteteve, Maloku dyshohet se, në cilësinë e bashkëkryerëses, ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
E lindur më 21 shkurt 2004 dhe me vendbanim në Samadrexhë të Vushtrrisë, 22-vjeçarja vazhdon të mbetet e paarritshme për organet e rendit, pavarësisht përpjekjeve për lokalizimin e saj.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e saj ta përcjellin tek autoritetet kompetente.






