Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur shkelje në procesin e granteve në Ministrinë e Bujqësisë. ZKA, në raportin e saj për vitin 2025, ka evidentuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka hartuar dhe miratuar Programin Vjetor për Grante për vitin 2025, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.
Auditori ka alarmuar se mungesa e programit vjetor për grante, “rrit rrezikun e shpërndarjes joefikase dhe jo transparente të fondeve publike, ndikon në përkrahjen e fermerëve dhe zhvillimin e sektorit bujqësor, krijon pasiguri për përfituesit potencialë dhe vonesa në implementimin e masave mbështetëse”.
ZKA ka evidentuar gjithashtu se nuk ishin publikuar listat e përfituesve juridikë për pagesat direkte për vitin 2025 si dhe lista e përfituesve të granteve të Programit për Zhvillim Rural (PZhR) 2024 për Masën 3.5 – Prodhimi i verërave.
“Listat tjera të përfituesve të granteve të PZHR-së të vitit 2024 ishin publikuar në mënyrë jo të plotë, pasi mungonin disa përfitues në listat e publikuara, evidentuar nga tetë raste ku përfituesit nuk ishin përfshirë në listat e publikuara. Po ashtu, sa i përket listave që nuk ishin publikuar fare, kjo u evidentua nga 21 raste apo pagesa të ekzekutuara”, thuhet në gjetjen e Zyrës së Auditimit.
Në lidhje me çështjen e ndikimit në grante, Prokuroria Speciale e Kosovës ka invervistuar ish-Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
VOX Kosova kishte publikuar ekskluzivisht e-mailët që dëshmonin presionin e Pecit ndaj zyrtarëve në Ministri për ndërhyrje në programin për grante, specifikisht në kriteret për përfituesit potencialë.
“Me forcë dhe me presion, nuk mund dhe nuk e kam të lejuar ligjërisht të detyroj asnjë zyrtar të ndërmarr një veprim apo nënshkruaj një shkresë zyrtare, për të cilin i njëjti/njëjta, ka paraqitur arsyetimet pse nuk e realizon një veprim të tillë! Logjika për të shtyrë gjërat me forcë, presion, shantazh, etj etj, nuk shkon as në familje dhe jo më në Institucion shtetëror!”, i shkruante ish-Sekretari, Ministrit.
Mesazhi tregonte se sekretari po fliste për presione nga Peci dhe adresimi ishte përgjigje e ndërhyrjeve të Pecit në kriteret për dhënien e granteve. Sekretari i shqetësuar për këtë ndikim politike të ministrit, i drejtohej me lutje Pecit ta ndërpriste.
Por, Peci bënte të kundërtën. Ua lëshonte presionin zyrtarëve të bëjnë ndryshime të kundërligjshme aty.
Më shumë detaje:








