Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pohuar se qeveria ka diskutime me SHBA-në rreth çështjes së gazit, por ka theksuar se, kjo temë është mes shumë të tjerave që diskutohen me vendet aleate.
Por, siç ka thënë ajo, vendimet i marrin duke u bazuar në interesin e Kosovës.
“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me SHBA-në dhe ne kemi treguar gjatë pesë viteve të fundit se me shumë përgjegjësi dhe seriozitet që jo vetëm që diskutojmë por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Kosovës”, tha Gërvalla.
Së fundmi është bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar si të domosdoshëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.
Madje, nga odat ekonomike në Kosovës është thënë se refuzimi i gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin me SHBA-në.
Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.






