Në rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë të Jugut është arrestuar një person i dyshuar për një sërë veprash penale, duke përfshirë sulm ndaj personit zyrtar, lëndim trupor dhe dëmtim prone.
Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 18 qershor 2026, rreth orës 20:58, kur i dyshuari, mashkull kosovar, në gjendje të dehur, ka sulmuar fizikisht një viktimë mashkull kosovar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Gjatë arrestimit në vendin e ngjarjes, i dyshuari ka sulmuar një zyrtar policor. Më pas, edhe në stacionin policor dhe në Qendrën Klinike, ai ka sulmuar dy zyrtarë të tjerë policorë, si dhe i ka kanosur verbalisht me vrasje.
Po ashtu, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar motoçikletën e viktimës dhe një automjet tjetër.
Si pasojë e sulmeve, tre zyrtarë policorë dhe viktima kanë pranuar trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave dhe pranimit të trajtimit mjekësor, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.






