Sulmohet me kallash autobusi me udhëtarë në Pagarushë të Malishevës, arrestohet i dyshuari

Publikuar më:

Një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës.

Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se personi i dyshuar është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, ndërsa është sekuestruar edhe një armë e llojit AK-47.

“Rreth orës 12:10, është pranuar një informacion lidhur me një sulm me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës, me ç’rast njësitë përkatëse policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Si rezultat personi i dyshuar është arrestuar dhe, në koordinim me prokurorin e shtetit, është ndaluar për 48 orë, si dhe është sekuestruar një armë e llojit AK-47. Nga ky incident nuk ka persona të lënduar, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe aktualisht është në proces të hetimit”, ka deklaruar Krasniqi.

Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

JU REKOMANDOJMË