Mungesa e penjeve kirurgjikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po vazhdon prej javësh, duke ngritur pikëpyetje mbi furnizimin me materiale esenciale për trajtimin e pacientëve.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Saranda Ramaj mungesa e disa llojeve të penjeve kirurgjikë është evidentuar të paktën gjatë pesë javëve të fundit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që problemi të ketë zgjatur edhe më herët.
Gjatë verifikimeve të kryera të martën, në disa klinika të QKUK-së vazhdonin të mungonin lloje të caktuara të penjeve, përfshirë Nylon 3, Nylon 4 dhe Nylon 5. Ndërkaq, sipas një fature të javës së kaluar, në listën e produkteve të munguara figuronin edhe Nylon 2-0, Vicryl 2 dhe Vicryl nr. 0.

Bëhet fjalë për materiale bazike që përdoren në procedura të ndryshme kirurgjikale dhe që konsiderohen të domosdoshme për funksionimin normal të shërbimeve spitalore.
Lidhur me arsyet e mungesës së këtyre produkteve, deri më tani nuk ka pasur sqarime publike nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) apo Ministria e Shëndetësisë. Pyetjet e adresuara ndaj institucioneve përgjegjëse, sipas autores së reagimit publik, kanë mbetur pa përgjigje.







