Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 6,8%

Publikuar më:

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 6,8 për qind, krahasuar me majin e vitit 2025.

Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi në sektorin e transportit me 14.1 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13.2 për qind, si dhe nga rritja e çmimeve të pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.6 për qind

Po ashtu, rritje janë regjistruar edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5.3 për qind), ushqimet dhe pijet joalkoolike (5.1 për qind), shëndetësia (4.1 për qind), mobiliet dhe pajisjet shtëpiake (3.6 për qind), kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme (3.0 për qind), rekreacioni, sporti dhe kultura (2.7 për qind), veshjet dhe këpucët (2.4 për qind), si dhe informacioni dhe komunikimi (0.2 për qind).

Ndërkaq, ASK-ja ka bërë të ditur se rënie vjetore e çmimeve është evidentuar vetëm në grupin e shërbimeve arsimore, me 0.6 për qind.

Megjithatë, krahasuar me muajin prill 2026, inflacioni mujor ka shënuar rënie prej 0.4 për qind.

Sipas të dhënave, kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport (-2.0 për qind), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-0.7 për qind), ushqime dhe pije joalkoolike (-0.2 për qind), si dhe kujdes personal dhe shërbime të ndryshme (-0.1 për qind).

Në anën tjetër, gjatë muajit maj janë regjistruar rritje mujore të çmimeve te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët (0.7 për qind), shëndetësia (0.7 për qind), mobiliet dhe pajisjet shtëpiake (0.6 për qind), informacioni dhe komunikimi (0.3 për qind), veshjet dhe këpucët (0.3 për qind), si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0.2 për qind).

ASK-ja njofton se publikimi i ri bazohet në klasifikimin COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar për matjen e çmimeve të konsumit

JU REKOMANDOJMË