Një investim në vlerë prej 775 mijë eurosh do të realizohet për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat e Shalës – Melenicë, Zjaq, Maxherë dhe Vllahi.
Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës dhe KRU Mitrovica, do të financojë projektin që synon avancimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për banorët e këtyre zonave.
Përmes dy marrëveshjeve të veçanta, parashihet zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit, ndërtimi i rezervuarëve dhe stacioneve të pompimit, si dhe shtrirja e rrjetit në vendbanimet ku nevoja për furnizim me ujë është më e theksuar.
Sipas autoriteteve, ky investim do të mundësojë furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, përmirësim të menaxhimit të presionit në rrjet dhe ofrim të shërbimeve më cilësore për qytetarët e këtyre fshatrave.







