Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Mitrovicës ka ndërmarrë veprime për ndalimin e punimeve në disa objekte banesore që janë duke u ndërtuar në qytet.
Sipas fotografive të publikuara nga Komuna e Mitrovicës, masat janë ndërmarrë ndaj objekteve banesore që po ndërtohen nga kompanitë “Xani Invest Group” dhe “Berani Group”, shkruan “Jepi zë”.
Nga Komuna kanë bërë të ditur se ndërhyrja është realizuar pasi punimet po zhvilloheshin në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në lejen ndërtimore.
“Drejtoria e Inspekcionit ka ndërmarrë veprime konkrete për ndalimin e punimeve, për shkak se ato janë zhvilluar pa iu përmbajtur lejes ndërtimore. Me këtë rast, nga inspektorët komunalë janë vendosur shirita që ndalojnë këto punime”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Në njoftim citohet edhe drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, i cili ka deklaruar se kontrollet dhe masat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të gjitha rastet ku konstatohet mosrespektim i kushteve të lejes ndërtimore.
Sipas tij, Drejtoria e Inspekcionit do të veprojë ndaj çdo subjekti që nuk i përmbahet rregullave dhe standardeve të përcaktuara me ligj për ndërtimin.






