Dy produkte të Qumështores “Rugove” të kontaminuara, qumështi me Aflatoksinë dhe djathi me Esheria Col (Dokument)

Publikuar më:

Dy produkte që Qumështores “Rugove”, kanë rezultuar të kontaminuara pas marrjes së mostrave për analizë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Një sasi e qumështit ka dalë pozitiv me Aflatoksinë dhe djathi me Esheria Col, sipas raporteve zyrtare që i ka siguruar Periskopi.
Raporti i parë, me numër serie 0627/2026, i referohet një mostre të qumështit në paketim 1×500 mililitra, e marrë më 16 shkurt 2026 në kuadër të Planit Nacional të monitorimit. Sipas dokumentit, analiza laboratorike është përfunduar më 24 shkurt 2026 dhe rezultati kryesor lidhet me praninë e Aflatoksinës M1, një substancë e njohur për potencialin e saj toksik, e cila është konstatuar në nivel prej 0.096 µg/kg. Ky nivel, sipas raportit, e tejkalon kufirin e lejuar dhe çon në vlerësimin se produkti është mbi limitin e përcaktuar nga standardet përkatëse, konkretisht sipas metodës ISO 14675:2003. Në përshkrimin përfundimtar, mostra klasifikohet si e parregullt dhe produkti nuk mund të konsumohet.

 

Raporti i dytë, me numër serie 0446/2026, trajton një produkt tjetër të së njëjtës kompani, djathë në paketim 5×2 kilogramë. Mostra është marrë më 5 shkurt 2026, ndërsa analiza është përfunduar më 9 shkurt 2026. Ndryshe nga rasti i parë, këtu problemi lidhet me aspektin mikrobiologjik. Sipas të dhënave laboratorike, në të gjitha nënmostrat është konstatuar prani e bakterit Escherichia coli në nivel mbi 3.0 x 10³ cfu/g, duke e tejkaluar pragun e lejuar dhe duke e bërë produktin të papranueshëm për konsum.

Në të njëjtin raport theksohet se për bakteret Salmonella spp. dhe Listeria monocytogenes nuk është evidentuar prani, raporton Periskopi.

Të dy raportet theksojnë se rezultatet janë valide vetëm për mostrat e testuara dhe janë bazuar në metodat dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin përkatës për sigurinë ushqimore. Të dy mosrat që janë testuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë janë për një periudhë kohore të afërt dhe brenda të njëjtit program monitorimi.

 

Në aspektin shëndetësor prania e Aflatoksinës M1 në qumësht është veçanërisht shqetësuese, pasi kjo toksinë lidhet me ushqimin e bagëtive dhe më pas kalon në produktet e qumështit. Konsumimi mund të rrisë rrezikun për dëmtime të mëlçisë dhe probleme të tjera shëndetësore.

Ndërsa rasti i djathit, prania e lartë e Escherichia coli tregon për ndotje fekale ose mungesë të standardeve higjienike gjatë procesit të prodhimit ose përpunimit. Konsumi i produkteve të tilla mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale, të shoqëruara me diarre, të vjella dhe dhimbje barku, ndërsa në raste më të rënda mund të çojë në komplikime, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët.

 

Periskopi ka dërguar pyetje në Kompaninë “Rugove” në lidhje për këto analiza. Më poshtë i gjeni përgjigjjet pa ndëhyreje.

 

Çfarë masash konkrete ka marrë kompania pas pranimit të këtyre rezultateve nga Laboratori i AUV-it?

Pas pranimit të rezultateve nga AUV, kompania ka aktivizuar menjëherë procedurat e brendshme të menaxhimit të jo-konformiteteve, duke iu rikthyer planit HACCP dhe analizës së pikave kritike të kontrollit. Është realizuar gjurmimi i plotë i lotit përkatës, identifikimi i burimit të devijimit dhe vlerësimi i ndikimit në procesin prodhues.

Bazuar në gjetjet e evidentuara, janë ndërmarrë veprimet korrigjuese dhe parandaluese të nevojshme, përfshirë kontrollin shtesë të lëndës së parë, verifikimin e parametrave teknologjikë dhe monitorimin e higjienës operative. Pas implementimit të këtyre masave, mostrat e produkteve përkatëse janë dërguar për analizë në laboratorë të jashtëm të akredituar me të cilët kompania bashkëpunon.

Pas konfirmimit të rezultateve të kënaqshme dhe konformitetit të plotë të produkteve, është ftuar AUV për ri-mostrim zyrtar. Vetëm pas rezultateve përfundimtare të dala nga laboratorët e AUV-së, është lejuar vazhdimi i prodhimit dhe plasimi në treg i produkteve përkatëse.

 

A është bërë asgjësimi i këtyre sasive dhe a keni procesverbal zyrtar për këtë veprim?

– Po, produkti djathë 2 kg, pasi nuk ka përmbushur kriteret për dalje në treg sipas parametrave të sigurisë ushqimore, është izoluar menjëherë dhe me kërkesë të subjektit tonë, Rugove sh.p.k., është ftuar AUV për të marrë pjesë në procedurën zyrtare të asgjësimit të kësaj sasie.

Ky proces është realizuar në përputhje me procedurat ligjore dhe është evidentuar përmes procesverbalit zyrtar nr. 1003, datë 13.03.2026, të lëshuar nga AUV.

 

Sa i përket rastit të djathit që ka rezultuar jo i kënaqshëm në kriterin e higjienës për parametrin E. coli, kompania ka kërkuar nga AUV ri-destinimin e produktit nga djathë në produkt tjetër – gjizë – duke u bazuar në procesin teknologjik që garanton reduktimin dhe eliminimin e këtij parametri deri në nivel të pranueshëm sipas kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Bashkëngjitur gjeni kërkesën përkatëse dhe dokumentacionin përcjellës.

 

A keni njoftuar konsumatorët përmes një komunikate publike për tërheqjen e këtij produkti, siç e kërkon legjislacioni për sigurinë ushqimore?

– Jo, nuk është bërë njoftim publik, pasi produktet në fjalë nuk kanë qenë të plasuar në treg dhe kanë qenë ende të ndaluara në depot tona, nën kontroll të plotë të subjektit.

Për rrjedhojë, nuk kemi të bëjmë me procedurë tërheqjeje nga tregu (recall), por me menaxhim të brendshëm të jo-konformitetit para daljes së produktit në qarkullim, çka ka eliminuar çdo mundësi të ekspozimit të konsumatorit ndaj rrezikut.

 

Çfarë garancie u ofroni konsumatorëve që produktet aktuale që gjenden në rafte nuk i përkasin kësaj serie apo serive të ngjashme të kontaminuara?

 

– Qumështorja Rugove operon që nga viti 2009 dhe është e certifikuar sipas standardit ISO 22000 për menaxhimin e sigurisë ushqimore. Raste të tilla nuk kemi pasur më parë dhe çdo situatë e evidentuar trajtohet me seriozitet maksimal profesional dhe teknik.

Asnjë produkt jo-konform nuk është lejuar të dalë në treg. Siguria e konsumatorit ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kryesor.Produktet Rugove janë të sigurta dhe cilësore, sepse mbështeten nga një sistem të integruar kontrolli, teknologji moderne prodhimi dhe staf profesional i specializuar. Çdo produkt është plotësisht i gjurmueshëm deri në hallkën e fundit të zinxhirit furnizues, përfshirë furnitorin dhe fermerin, gjë që garanton transparencë dhe reagim të menjëhershëm në çdo rast.

Praktikë standarde e punës në Rugove është që asnjë produkt të mos dalë në treg pa kaluar të gjitha kontrollet paraprake laboratorike, të mbështetura si nga laboratori i brendshëm i prodhimit, ashtu edhe nga laboratorë të jashtëm të akredituar dhe kompetentë për verifikimin final të parametrave të sigurisë dhe cilësisë

JU REKOMANDOJMË