Vritet me thikë një 30-vjeçar në Gjakovë, identifikohet i dyshuari që është në arrati

Publikuar më:

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotem në Gjakovë, ku një 30-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur me thikë.

Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur sot më 5 maj 2026, rreth orës 02:20, në rrugën “Mbretëresha Teuta”.

Viktima, Rexhë Brahimaj, fillimisht është paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare me plagë të rënda në gjoks.
Burime nga stafi mjekësor bëjnë të ditur se ai kishte ende shenja jete dhe ishte i vetëdijshëm në momentin e pranimit, por gjendja e tij është përkeqësuar gjatë transportimit me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal “Isa Grezda”.

Rreth orës 03:10, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Sipas dëshmitarëve të intervistuar nga autoritetet, ngjarja ka nisur si një konflikt verbal që më pas ka eskaluar në përleshje fizike. Në kulmin e konfliktit, i dyshuari dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur viktimën në gjoks.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet, ndërsa janë intervistuar disa persona që kanë qenë të pranishëm gjatë incidentit.

I dyshuari, Qazim Sadrija, është identifikuar nga policia dhe aktualisht gjendet në arrati./Sinjali

JU REKOMANDOJMË