Komuna e Vushtrrisë blen 2 vetura, kushtojnë hiç më pak se 90 mijë euro

Publikuar më:

Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 90 mijë eurosh për furnizim me dy vetura të reja për nevojat e institucionit komunal.

Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit me titull “Blerja e veturave” është zhvilluar përmes procedurës së hapur dhe kriter për dhënie ka qenë çmimi më i ulët. Vlera e parashikuar e këtij furnizimi ishte 92 mijë euro, ndërsa kontrata finale është lidhur për shumën 90 mijë euro.

Kontrata është nënshkruar më 23 prill 2026 me operatorin ekonomik Baki Automobile SH.P.K., i cili ishte edhe ofertuesi i vetëm në këtë aktivitet tenderues. Në dokument bëhet e ditur se për këtë tender janë tërhequr gjithsej 27 dosje, por në afatin përfundimtar është pranuar vetëm një ofertë e përgjegjshme.

Sipas përshkrimit të lëndës së kontratës, bëhet fjalë për blerjen e dy automjeteve sipas specifikimeve teknike të përcaktuara nga njësia kërkuese, ndërsa financimi do të bëhet nga mjetet vetanake dhe nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. Afati i realizimit të kontratës është 20 ditë.

JU REKOMANDOJMË