Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë po përballet me një fluks të lartë pacientësh në Shërbimin e Emergjencës.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë një periudhe prej 90 ditësh, gjithsej 7,635 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Vetëm në muajin janar janë regjistruar 2,730 raste, në shkurt 2,394, ndërsa në mars 2,511 pacientë kanë marrë trajtim në këtë shërbim.
Ekipet mjekësore kanë trajtuar një gamë të gjerë rastesh, përfshirë aksidente trafiku, plagosje, lëndime ortopedike, ndërhyrje kirurgjike, si dhe raste internistike, ndër to probleme kardiake dhe komplikime të tjera shëndetësore.
Drejtuesit e spitalit theksojnë se mbingarkesa e madhe po vështirëson menaxhimin efikas të rasteve emergjente. Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje qytetarëve që për kontrolle rutinë, dhimbje të lehta apo shqetësime jo emergjente, fillimisht të drejtohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Sipas tyre, kjo do të mundësonte që rastet me rrezik për jetën të marrin trajtim në kohën e duhur dhe me prioritetin e nevojshëm.







