Rrahmani e pyet Kurtin për martesat gej, ai i shmanget: Këto s’janë çështje të familjes

Publikuar më:

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani ka polemizuar me kryeministrin Albin Kurti rreth çështjes së martesave gej, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të premten.

Rrahmani e pyeti se si e sheh ai familjen dhe a qëndron ende prapa propozimeve për Projekt-Kodin e ri Civil.

Kurti, iu shmang pyetjeve në dy raste.

“Unë nuk kam sesi i përgjigjem të gjitha këtyre çështjeve, por ajo që mund të them është se në mandatin e kaluar kemi ndërmarrë për herë të parë hapa të qartë dhe të matshëm për të vendosur familjen në qendër të politikbërjes shtetërore”, tha Kurti.

Ai përmendi shtesat për gratë lehona.

“Këto masa përfaqësojnë një ndryshim thelbësor në qasjen e shtetit ndaj familjes”, tha kryeministri.

Tutje, shefi i qeverisë përmendi “reformën e thellë” të asistencës sociale, e cila, sipas tij, do të krijojë një sistem që e mbështet familjen.

“Çështjet që u adresuan këtu, nuk i konsideroj çështje të familjes, por çështje gjinore. Mund të bëjmë edhe një debat ndonjë ditë tjetër për çështje gjinore, por siç e dini Ministria është e Punës, jo e çështjeve gjinore”, tha ai.

Në përmbylljen e fjalës së tij, deputeti Rrahmani konkludoi se kryeministri nuk ka lëvizur nga qëndrimet e tij rreth Projekt-Kodit Civil. Tha se tashmë i ka të qarta qëndrimet e shefit të qeverisë.

JU REKOMANDOJMË