UÇK-ja “terroriste” në mes të Kosovës – heshtja e e MAPL-së për monumentin skandaloz

Publikuar më:

Në territorin e Republikës së Kosovës, pikërisht në zonën ku Qeveria e Kosovës ka investuar në ndërtimin e një ure të re në Mitrovicë, qëndron i paprekur një monument me përmbajtje që fyen rëndë luftën çlirimtare dhe rendin kushtetues.

Në këtë obelisk, i cili është i shkruar në gjuhën serbe (qirilicë), ushtria që solli lirinë e vendit, UÇK-ja, cilësohet hapur si organizatë “terroriste”.

Përmbajtja e këtij monumenti është një provokim i pastër ndaj shtetit të Kosovës.

Në mbishkrimin e tij thuhet: “Të rënë në luftë për mbrojtjen e atdheut nga bombardimet dhe UÇK-ja terroriste në rrethin e Mitrovicës së Kosovës”.

Përveç gjuhës së urrejtjes, aty listohen emrat e personave që sipas narrativës serbe, ranë për “atdheun” e tyre (Serbinë) brenda territorit të Kosovës gjatë viteve 1998-2000. Ky monument jo vetëm që nuk është larguar, por ndodhet fare pranë investimit strategjik të qeverisë aktuale.

Lidhur me këtë situatë, Insajderi i ka drejtuar pyetje zyrtare Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila udhëhiqet nga ministri Elbert Krasniqi.

Gazeta ka kërkuar sqarime nëse ministria ka njohuri për këtë monument dhe pse nuk është ndërmarrë asnjë hap për largimin e tij, duke qenë se përdor gjuhë denigruese për luftën e UÇK-së.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, MAPL nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Ky skandal vjen në një kohë kur Qeveria Kurti proklamon me të madhe shtrirjen e sovranitetit në veri, ndërkohë që simbolet që fyejnë hapur historinë e Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë të paluajtura në hapësira publike./Insajderi

JU REKOMANDOJMË