Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksioneve të fundit kundër kriminalitetit, duke theksuar angazhimin institucional në luftën kundër dukurive të paligjshme. Megjithatë, në deklarimin e tij publik bie në sy mungesa e përmendjes së rolit të Prokurorisë, e cila zakonisht udhëheq dhe autorizon këto operacione.
Në reagimin e tij, Sveçla ka theksuar se në të gjithë territorin e Kosovës po zhvillohet një luftë “pa kompromis” ndaj kriminalitetit, duke përmendur aksionin anti-drogë në Pejë dhe një tjetër operacion të gjerë në Mitrovicë dhe Vushtrri.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione në dhjetëra lokacione, duke goditur veprimtari të dyshuara që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozin e paligjshëm, ku janë arrestuar 26 persona dhe janë sekuestruar rreth 150 mijë euro.
Megjithatë, ndonëse aksionet e tilla realizohen në bashkëpunim të ngushtë me organet e drejtësisë, në këtë rast ministri nuk e ka përmendur fare Prokurorinë.
Nfryshe aksione të kësaj natyre nuk mund të zhvillohen pa urdhër dhe mbikëqyrje të Prokurorisë, e cila ka rol kyç në hetim dhe procedim penal.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Në të gjithë territorin e Kosovës, me të njëjtin përcaktim: luftimin e kriminalitetit pa kompromis. Përveç aksionit anti-drogë në Pejë, mbrëmë u zhvillua edhe një aksion tjetër i madh i Policisë së Kosovës në dhjetëra lokacione të ndryshme në Mitrovicë dhe Vushtrri, me objekt veprimtari të dyshimta në lidhje me veprat penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Në këtë aksion të arrestuar përfunduan 26 persona e me rreth 150 mijë euro të sekuestruara. Të përkushtuar për rend dhe ligj. Kudo.








