Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, morën pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Grupin Luftarak Shumëkombësh – Lindje, e cila u mbajt në kampin e forcave amerikane Camp Bondsteel.
Gjatë ceremonisë, ministri Maqedonci shprehu mirënjohje për kolonel Jonathan Lloyd për kontributin dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të tij, ndërsa i uroi suksese kolonel Samuel Sargeant në marrjen e detyrës së re në krye të këtij grupi luftarak.
Në njoftimin e Ministrisë theksohet se partneriteti i Republikës së Kosovës me NATO-n dhe me KFOR-in mbetet thelbësor për sigurinë e vendit dhe për rrugën e saj euroatlantike.






