Situata në Gjimnazin “Frang Bardhi” paraqitet shqetësuese, pasi sot procesi mësimor nuk është zhvilluar për shkak të kundërmimit të rëndë që vjen nga banjot e bllokuara brenda objektit shkollor.
Nxënësit raportojnë se era e padurueshme ka bërë të pamundur qëndrimin në klasa, ndërsa disa prej tyre janë ankuar për dhimbje koke dhe shqetësime shëndetësore, si pasojë e kundërmimit dhe përdorimit të tepërt të mjeteve pastruese në përpjekje për të zbutur situatën. Kjo gjendje vjen pavarësisht deklarimeve të mëhershme të udhëheqjes komunale.
Në fillim të mandatit, kryetari i komunës, Faton Peci, kishte vizituar gjimnazin dhe kishte njoftuar për rregullimin e një problemi me rrjedhjen e ujërave në objekt. Ndërkohë, drejtori i Arsimit, Shefki Begu, ishte shprehur se problemet nëpër shkolla, përfshirë edhe çështjen e ngrohjes, ishin adresuar, madje duke huazuar kaldajë nga një institucion tjetër për të siguruar funksionimin e sistemit.

Megjithatë, pamjet e publikuara nga brendësia e banjove të gjimnazit tregojnë një gjendje të rënduar higjieno-sanitare, e cila sipas nxënësve dhe prindërve, përbën rrezik serioz për shëndetin. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente nga organet komunale për sanimin e plotë të problemit, nxënësit kanë paralajmëruar mundësinë e organizimit të protestave në ditët në vijim.







