KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga shteti

Publikuar më:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që kanë qenë në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.

MINTI ka bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

Ky veprim, sipas ministrisë, vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe sigurimin e respektimit të standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi apo kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë, që t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose përmes adresës elektronike [email protected].

JU REKOMANDOJMË