Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen për mbështetje të operatorëve ekonomikë të transportit publik, me qëllim funksionalizimin e linjave nga Mitrovica drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe drejt disa lokaliteteve përreth, të cilat konsiderohen ekonomikisht jo profitabile.
Sipas njoftimit zyrtar, përmes kësaj mase do të subvencionohet transporti publik për qytetarët, me fokus të veçantë në komunat e veriut të Kosovës, duke garantuar qasje më të mirë në shërbime dhe lëvizje më të lehtë për banorët e kësaj zone.
Bazuar në oraret e publikuara, linjat nga Mitrovica e Jugut do të operojnë në disa drejtime, përfshirë Mitrovicë–Jarinjë,

Mitrovicë–Zubin Potok–Bërnjak,

Mitrovicë–Kroi i Vitakut–Zhazhë, Mitrovicë–Bistricë–Cerajë, si dhe linja që përfshijnë Dolan, Banjskë, Ballaban, Pllandishtë, Vuçë, Soçanicë dhe Dren. Nisjet janë të planifikuara në orët e mëngjesit, paradites dhe pasdites, ndërsa kthimet realizohen në intervale të rregullta gjatë ditës.






