Nga 70 milionë eurot e premtuara për “Trepçën”, për vitin 2022 janë planifikuar vetëm 3 milionë

Publikuar më:

Janë vetëm tre milionë euro që janë planifikuar në Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2022, teksa nga Qeveria e Kosovës është thënë që për vitet 2022-2023 do të investohet 70 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka vënë fokusin në ngritjen e ndërmarrjes publike “Trepça”. Vizitat atje, hapja e terminalit dhe premtimet për investime janë disa nga zhvillimet që bashkojnë Kurtin dhe “Trepçën”.

Në një vizitë që kishte bërë më 20 tetor në “Trepçë” bashkë me ministren e Ekonomisë, njëherësh ministri e linjës për ndërmarrje publike, Artane Rizvanolli, premtimet nuk munguan. Aty u tha se për dy vjetët e ardhshëm investimet në “Trepçë” do të jenë 70 milionë euro, raporton “Zëri”. Por, në Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022 çështja qëndron ndryshe në planifikim.

Kodi i Ministrisë së Ekonomisë 213, me kod të programit 22800 dhe nënkod 0441 në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm ka Minierën e “Trepçës”. Aty janë ndarë vetëm tre milionë euro në Kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Për më shumë, në projeksionet për vitin e ardhshëm 2023 shifra e subvencioneve është po aq, 3 milionë euro.

Nëse kthehemi ndër vite dhe shohim ndarjen e buxhetit për Minierën e “Trepçës”, ka vite kur buxheti ishte më i madh.

Në 2017-n për këtë minierë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ishin ndarë në total 4,817,870 euro, prej të cilave për subvencione 3,082,870 euro.

Në 2018-n, për të njëjtën minierë, nga burimi i njëjtë ishin ndarë 4,817,870 euro për subvencione dhe transferime.

Në vitin 2019 Miniera e “Trepçës” kishte marrë nga Qeveria e Kosovës subvencion prej 4,817,870 eurosh, njëjtë sikur një vit më parë.

Në 2020-n ishte një buxhet prej 3,522,870 eurosh që ka shkuar nga buxheti i Kosovës. Por, në fund të atij viti prej gjendjes jo të mirë të ndërmarrjes ishin detyruar t’i ndanin edhe 1.1 milion euro për të paguar pagat e punonjësve.

Në këtë vit, 2021, në buxhetin e Kosovës kanë qenë të ndara 3,000,000 euro.

“Trepça” konsiderohet si një prej aseteve kryesore të ekonomisë së vendit, nëse rikuperohet dhe fillon të punojë me kapacitete të plota. Një gjë e tillë nuk është e lehtë për shkak të amortizimit të mjeteve teknike dhe atje nuk shumica e xehes shitet si koncentrat i papërpunuar.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.