Gjest i mirë: Qytetari gjen para dhe i dorëzon në Polici

Publikuar më:

Një qytetar nga Ferizaj ka dëshmuar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare duke dorëzuar në Polici një çantë të gjetur me para dhe dokumente personale.

Sipas njoftimit, më 1 janar 2026, rreth orës 21:00, qytetari D. Mehmetaj është paraqitur në stacionin policor, duke raportuar se rreth orës 20:30, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, kishte gjetur një çantë të humbur.

Në prani të zyrtarëve policorë, është bërë kontrollimi i çantës, ku janë gjetur një patentë shoferi, kartëmonedha në vlerë prej 350 eurosh, rreth 3 euro para metalike, si dhe gjësende të tjera personale.

Pas verifikimeve nga Policia, është identifikuar pronarja e çantës, znj. L. M., e cila është njoftuar dhe rreth orës 21:20 është paraqitur në stacionin policor për ta marrë çantën e saj.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin D. Mehmetaj për veprimin e tij shembullor, duke e vlerësuar këtë rast si një shembull të mirë të ndershmërisë dhe përgjegjësisë shoqërore.

JU REKOMANDOJMË