Nexhat Dedia kritikon votimin e mërgatës dhe pasojat socio-ekonomike në Kosovë
Nexhat Dedia ka reaguar me tone kritike ndaj mënyrës se si, sipas tij, një pjesë e mërgatës ndërhyn në proceset zgjedhore në Kosovë, pa u përballur drejtpërdrejt me pasojat e vendimeve politike në vend.
Ai thekson se qytetarët që jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore, me paga dinjitoze, siguri sociale dhe institucione funksionale, vijnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve me entuziazëm dhe slogane politike, për të votuar, e më pas kthehen në jetën e tyre jashtë vendit. Sipas Dedit, pasojat e këtyre votimeve mbeten për t’u përballuar nga qytetarët që jetojnë çdo ditë në Kosovë.
Dedia vë në pah rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë, si buka, energjia, qiraja dhe ilaçet, ndërkohë që pagat kanë mbetur të ngrira për vite me radhë. Ai përmend gjithashtu një periudhë të gjatë pasigurie institucionale, të shënuar nga mosformimi i qeverisë dhe bllokimi i shtetit.
Sipas Nexhat Dedia, kjo gjendje nuk është më çështje e retorikës politike, por një realitet i përditshëm që po rëndon jetën e qytetarëve dhe po e lodh shoqërinë kosovare.
Postimi i plotë:
Mos e gjuaj gurin, pastaj mos e fshih dorën –
ose mos vini nga Perëndimi e të na lini kopilin te dera
Ky shkrim është një thirrje e hapur, sidomos për gurbetqarët dhe për të gjithë ata që mendojnë si një pjesë e tyre.
Mos na e impononi jetën neve që jetojmë në Kosovë.
Ju vini nga Perëndimi me entuziazëm të tepruar, me slogane të gatshme dhe me bindje absolute, votoni Albin Kurtin dhe elitën e tij, e pastaj ktheheni atje ku e keni ndërtuar jetën tuaj, me paga dinjitoze, me siguri sociale, me institucione funksionale. Ndërsa ne mbesim këtu, përballë pasojave të atij votimi.
Ne po e jetojmë përditë këtë realitet.
Çmimet janë rritur në kulm: buka, energjia, qiraja, ilaçet, gjithçka. Pagat? Të ngrira me vite të tëra. Një vit i tërë ankth për mosformimin e qeverisë. Një shtet i bllokuar, një shoqëri e lodhur, një qytetar i dërrmuar. Kjo nuk është më retorikë politike, kjo është jeta jonë reale.
Dhe si për ironi, kur qytetari është i shtrydhur deri në fund, vjen mashtrimi i radhës:
nga 100 euro për qytetar, të shpallura si “ndihmë”.
Le të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin:
Kjo nuk është ndihmë sociale, kjo është blerje vote.
100 euro nuk e mbulojnë as rritjen mujore të çmimeve.
100 euro nuk e rregullojnë varfërinë.
100 euro nuk e zëvendësojnë një pagë dinjitoze, as një ekonomi funksionale.
Këto para u hodhën si karrem elektoral, për të mashtruar qytetarin e lodhur, për t’i mbyllur gojën përkohësisht, për t’i blerë ndërgjegjen atij që mezi mbijeton. Kjo është politikë e ulët, e rrezikshme dhe fyese për inteligjencën e popullit.
Dua të pyes:
Nëse kjo nuk është paaftësi, a është qëllim?
A po dështojnë institucionet nga mosdija apo nga inati?
A po luhet me shtetin e Kosovës si me një eksperiment ideologjik?
Ju që vini nga jashtë thoni: “Po vijmë ta shpëtojmë Kosovën.”
Po nga kush, more?
Nga ne që jetojmë këtu?
Nga njerëzit që kanë mbajtur këtë vend në luftë, në varfëri, në izolim?
Kur ishte koha e luftës, shumica nuk iu përgjigj thirrjes.
Kur ishte koha e sakrificës, ishim ne këtu.
Kur Serbia u largua me gjak e me dhimbje, ishim ne këtu.
E tani, në liri, vini ju, me fjalë fyese, me slogane përçmuese, me etiketime për këdo që mendon ndryshe.
Kjo është hipokrizi.
Nëse jeni aq të bindur në Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, ejani e jetoni këtu.
Ejani përballuni me faturat.
Ejani përballuni me rrogën që s’mjafton.
Ejani përballuni me shtetin që s’funksionon.
Por nëse jo, mos na e impononi jetën neve.
Kosova nuk është laborator emocionesh për ata që jetojnë rehat jashtë.
Kosova është shtëpia jonë.
Dhe shtëpia nuk qeveriset me 100 euro para zgjedhjeve,
as me pasion nga larg,
por me përgjegjësi, ndershmëri dhe punë reale nga brenda.
Mos e gjuani gurin, sepse ne jemi ata që po na bie në kokë.








